Nënshkruhet marrëveshja IPA 2023, Kosova fiton 75 milionë euro
Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, ka nënshkruar sot një marrëveshje me Bashkimin Evropian. Më saktësisht, ai e nënshkroi marrëveshjen IPA 2023 me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, e nga e cila marrëveshje, Kosova fiton 75 milionë euro, që u dedikohen sektorit të energjisë.
Sipas Bislimit, ky program është një hap tutje drejt integrimit evropian.
“Sot e nënshkruam marrëveshjen financiare IPA 2023 e cila i është dedikuar financimit në fushën e energjisë. Ky program përbën një hap tjetër drejt integrimit evropian dhe dëshmon përkushtimin tonë ndaj vlerave dhe standardit evropian. Nga ky program Kosova fiton 75 milionë Euro të cilat do të na ndihmojnë në kalimin e krizës energjetike.” - deklaroi Bislimi.
Tutje, ai ka theksuar se marrëveshja hy në fuqi menjëherë sot.
“Marrëveshja hyn në fuqi sot dhe menjëherë do të bëjmë kërkesë për disbursim të 90 për qind të fondeve të parapara me këtë marrëveshje të cilat kalojnë në buxhetin e shtetit, ndërsa 7 milionë euro vitin e ardhshëm. Ky është edhe një hap tjetër i rëndësishëm në kuadër të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë.” - tha tutje Bislimi, transmeton EO.