Mblidhen protestues serbë në Zveçan, me flamuj e pankarta në përkrahje të të arrestuarve
Sot në Zveçan kanë mbërritur mijëra qytetarë serb, në përkrahje të serbëve që sulmuan gazetarët në veri, tashmë ata të arrestuar nga Policia e Kosovës.
Në Zveçan ata u pritën me duartrokitje nga protestuesit që prej tre javësh po protestojnë para ndërtesës së komunës.
Serbët mbanin flamuj serbë dhe pankarta me foto të të arrestuarve, me mbishkrime që bënin thirrje për t’i dhënë fund ‘’dhunës kundër serbëve’’- raporton Kosovo Online.
Qytetarët serb kërkonin lirimin e serbëve nga veriu, të cilët u arrestuan nga Policia e Kosovës, për sulmet që kishin bërë ndaj gazetarëve.
Ndërkohë sot kanë filluar protestat edhe në Leposaviq, në ora 12:00, gjithashtu për të kundërshtuar arrestimin e serbëve nga ana e Policisë së Kosovës.
Në këtë protestë kanë mbajtur fjalime familjarët e të të arrestuarve.
Gjithashtu, sot Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar edhe një person i cili dyshohet për sulm ndaj gazetarëve me 16 qershor në Leposaviq.
Ndryshe serbët po protestojnë që nga data 29 maj, ku kanë kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.
