“Në vend të sanksioneve Serbisë t'i kërkohej hapja e dosjeve të UDBA-s”: Drashkoviq flet për sulmin paramilitar në Banjskë
“As që do të mërziteshin”.
Kështu shprehet shkrimtari dhe politikani veteran serb, Vuk Drashkoviq, pyetur se a pret sanksione ndaj Serbisë nga Bashkimi Evropian pas sulmit paramilitar dhe terrorist në Banjskë të Zveçanit; e ku udhëheqësi i këtij formacioni ushtarak ishte aleati dhe partneri politik i qeverisë serbe, Milan Radojiçiq.
Drashkoviq nuk beson se do të ketë sanksione; por shprehet që edhe nëse do të kishte “do të ishin tejet sipërfaqësore dhe simbolike sa që regjimi serb as që do të mërzitej”.
Këto komente ai i bëri në një intervistë me “The Geopost”.
Për Drashkoviqin çka do të ishte “tejet më e rëndësishme” se masat ndëshkuese ndaj Serbisë, do të ishte që perëndimi t’i kërkonte Beogradit “t’i hapin dosjet e fsheta të UDB-së”.
“Për të kërkuar përfundimisht që Serbia të përballet me të vërtetën, dhe nuk mund të përballet me të vërtetën pa hapur dosjet sekrete të UDBA-së, pa lustruar shërbimet e sigurisë, nuk e di më nëse janë serbe apo ruse, largimi nga ato shërbime të të gjithë atyre që janë të lidhur me vrasës, me mafia, me shërbimin rus mbi të gjitha dhe miratimin e një ligji të ngjashëm me ligjin e miratuar nga Gjermania kur hapi dosjet sekrete të Stasit dhe hapi derën e shërimit të popullit gjerman”, ka thënë Drashkoviq.
Lidhur me rastin e Milan Radoiçiqit, Drashkoviq tallet sarkastikisht se ai mund të gjykohet përfundimisht për shkelje të rregullave të trafikut.
“Ai nuk do të gjykohet për gjënë thelbësore për të cilën duhet të gjykohet – pushtimi i territorit të një vendi tjetër me një formacion të armatosur, me një arsenal armësh për disa qindra njerëz – për këtë”, thotë Drashkoviq dhe shton se dikush nuk mund të gjykohet për një vepër penale që nuk ekziston sipas Kodit Penal të Serbisë.
Duke folur për marrëveshjen e fundit për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritura gjatë këtij viti fillimisht në Bruksel dhe mëpastaj në Ohër, Drashkoviq thotë se “janë asgjë veçse korridore ku ecet prej Planit të Ahtisaarit”.