Në kohën e përplasjes me aleatë, Qeveria Kurti e përforcon “kapjen” e KEK-ut dhe BQK-së
Derisa Qeveria Kurti po vazhdon përplasjen e re me aleatët perëndimorë, partia në pushtet ka konsoliduar “kapjen” e institucioneve të pavarura.
Kritikat e ashpra të BE-së dhe ShBA-së për çështjen e dinarit, nuk e kanë penguar pushtetin e Kurtit për tu kujdesur rreth caktimit të aktivistëve partiak në pozita drejtuese të institucioneve publike.
Vetëm brenda një muaj partia në pushtet ka vendosur njerëzit e saj në krye të Bankës Qendrore të Kosovës dhe në Korporatës Energjetike e Kosovës.
Hiç me larg se dje është emëruar ushtrues i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut aktivist i VV-së, Bekir Gërgurin.
Ndërsa, në një pozitë më poshtë, atë të Zv. Kryeshefit Ekzekutiv, është emëruar Ramadan Budakovën.
Bekir Gërguri kishte kandiduar për asambleist të Vetëvendosjes në Komunën e Fushë Kosovës. Ky i fundit, në këtë pozitë e ka zëvendësuar Nagip Krasniqi, i cili po ashtu ishte zyrtar i VV-së.
Ndërsa, një muaj me parë, pushteti i Kurtit ka rrumbullaksuar “kapjen” e BQK-së, duke e emëruar zv/guvernator në këtë institucion Milot Cakajn, i cili në mandatin e parë të Qeverisë Kurti kishte qenë këshilltar i kryeministrit.
Pas Bashkim Nurbojës që ishte kandidat për deputet e për kryetar të Pejës nga VV-ja, dhe pas Nexhat Kryeziut gjithashtu kandidat për deputet, një tjetër i afërt me pushtetin është dërguar në BQK.
Fjala është për Milot Cakajn. BQK-ja ka njoftuar se Cakaj është emëruar zv/guvernator në këtë institucion.
“Përzgjedhja është bërë sipas kërkesave të Ligjit të BQK-së përmes një procesi konkurrues dhe meritor, me propozim të Guvernatorit. Zëvendësguvernatorët e emëruar znj. Nesrin Shileku - Shala dhe z. Milot Cakaj do të jenë përgjegjës primar për fushën e Mbikëqyrjes Financiare, Praktikat e Tregut, Rishqyrtimin dhe Shërbimet e Përgjithshme. Të tre zëvendësguvernatorët së bashku me Guvernatorin përbëjnë Bordin Ekzekutiv, vendimet e të cilit janë kolegjiale”, ishte thënë në njoftimin e BQK-së.
Cakaj në mandatin e parë të Qeverisë Kurti kishte qenë këshilltar i kryeministrit. Për këtë, ishte njoftuar edhe zyrtarisht.
Nacionale kishte raportuar në vazhdimësi për kapjen publike që pushteti ia bëri Bankës Qendrore të Kosovës.
Fillimisht në Bord u dërguan dy anëtarë të Vetëvendosjes si Bashkim Nurboja e Nexhat Kryeziu, e gjithashtu edhe Nora Latifi-Jashari që ishte dikur drejtoreshë në Institutin GAP.
Pas skadimit të mandatit të Fehmi Mehmetit, guvernator në BQK u emërua nga Kuvendi, Ahmet Ismaili. Madje, kontradikta ishte sepse në konkursin e parë që ishte shpallur, Kuvendi kishte vlerësuar se Ismaili nuk i plotëson kushtet, e në konkursin e dytë ai u zgjodh guvernator.
Opozita e shqetësuar me veprimet e Qeverisë
Opozita është shprehur e shqetësuar me emërimet e fundit në BQK dhe KEK.
Zyrtarët e opozitës kanë bërë me dije se përplasja e kryeministrit Albin Kurti me aleatët po bëhet vetëm për t`i mbuluar skandalet.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj emërimit të Berkir Gërgurit, aktivit i VV-së, në pozitën e ushtruesit të detyrës së shefit ekzekutiv të KEK-ut.
Në profilin e saj në “Facebook”, Çitaku ka shkruar se kryeministri Albin Kurti po krijon kriza me aleatët për t`i fshehur skandalet e brendshme.
“Kryeministri dhe eksponentët e VV vazhdojnë të krijojnë kriza dhe konflikte me aleatët. Kacafytjet e tyre publike herë me SHBA-në, herë me BE-në u kanë sjellur vetëm një të mirë. Po ua lënë në hije skandalet e njëpasnjëshme në qeverisjen e brendshme. Dje një zyrtar i VV-së u emërua drejtor i KEK-ut. Kjo pas arrestimit të ish Drejtorit, i cili poashtu ka qenë zyrtar i VV-së”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka vlerësuar se kjo mendësi nuk do të ketë jetë të gjatë.
“Tashmë është e qartë, përplasjet me aleatët, në emër të sovranitetit, po bëhen për të kompenzuar mungesën e sukseseve në qeverisje , dhe për të mbuluar skandalet. Nuk do të ketë jetë të gjatë kjo mendësi”, ka shkruar zyrtarja e lartë e PDK-së.
Edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, është shprehur i shqetësuar me veprimet e pushtetit për kapjen e institucioneve të pavarura.
“Derisa ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, përballet me drejtësinë si i dyshuar për dallavere të shumta dhe keqpërdorim detyre, sot është emëruar Bekir Gërguri në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj ndërmarrje. Bekir Gërguri ka qenë hiç më pak se kandidat për asamble në Obiliq nga partia në pushtet, LVV. Keqpërdoruesi Krasniqi u zëvendësua me një militant tjetër. Një dëshmi shtesë që kjo qeveri ka për qëllim kapje e çdo ndërmarrjeje, çdo bordi e çdo institucioni”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Më këto veprime, ka vlerësuar ai, Qeveria Kurti po e dërgon vendin drejt humnerës.
“Gjendja në KEK dihet mirëfilli se si është. Keqmenaxhimi nga njerëzit e pushtetit aty, i ka kushtuar Kosovës disa herë me miliona. Edhe keqpërdorimet për interesa partiake apo klanore duket se koston e kanë milionëshe. Ndërkohë që këto shumë janë taksa të qytetarëve të vendit, ata vazhdojnë ta paguajnë rrymën e shtrenjtuar dy herë nga Albin Kurti. Rëndë e më rëndë për ta, e rehatime për militantë dhe favorizime për mafinë energjetike. Ky është pushteti që tenton me i kapë KREJT. Kjo është qeveria që po punon që gjithë shtetin me çu DREJT humnerës. Kjo është KREJT dhe DREJT e Vetëvendosjes”, ka vlerësuar Azemi.
Qeveria Kurti kishte ardhur në pushtet me synimin për t`i çkapur institucionet e pavarur nga njerëzit partiak. Por, gjatë këtyre tri viteve ka vepruar njëjtë sikurse qeveritë e kaluar.