Në Bruksel mbahet takimi i parë i Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për të pagjeturit
Sot në Bruksel pritet të zhvillohet takimi i parë inaugurues i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit.
Formimi i këtij komisioni është bërë përmes një marrëveshje të arritur gjatë vitit të kaluar në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Delegacioni kosovar do të udhëhiqet nga Halil Cenaj, ndërsa nuk dihet ende se kush do të marrë pjesë nga pala serbe.
“REL” duke cituar burime në BE, raproton se në takim nuk pritet ndonjë veprim konkret, por se do të jetë më shumë i karakterit simbolik dhe ceremonial.
Këto burime kanë deklaruar se takimi do të jetë rast që palët të tregojnë prioritetet e tyre dhe të merren vesh për datat e takimeve të ardhshme.
Kryetari i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti ka thënë se delegacioni i Kosovës do të prezantojë kërkesat kyçe, “me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar tek Vuçiq, dhe çështje tjera të rëndësishme në këtë fushë”.
Ndryshe, sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë një mijë e 612 persona të pagjetur nga lufta.