Në bazë të një SMS-je, Zyrës së Kryeministrit i është prishur pulla “hapësirë” në tastierë
Qytetarëve të Kosovës të premten u erdhi një porosi e shkurtër në telefonat e tyre. Bëhet fjalë për udhëtimin pa viza.
Sidoqoftë, dërgueses, Zyrës së Kryeministrit, edhe kjo porosi e shkurtër, me gjasë, iu duk shumë e gjatë, prandaj vendosi që ta shkurtonte edhe më shumë. Si?
Mes fjalëve, pas presjeve, nuk ka fare hapësirë. As pas pikëçuditjes nuk është lënë hapësirë.
Ose i është prishur pulla më e gjatë në tastierë, pulla "hapësirë". Shpjegim tjetër nuk kemi.
Për më tepër, është shkruar gabimisht – ndoshta nga padija, ndoshta nga dëshira për ta shkurtuar – mbiemri “afatshkurtra”, duke u shkruar “afatshkurta”.
Në fund është shkruar “90/180 ditë”. Nuk dihet se sa njerëz do ta kuptojnë këtë shifër, por, për çdo rast, nëse nuk e keni kuptuar, po e shpjegojmë. Keni të drejtë të qëndroni jo më shumë se 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.