“Ndoshta dialogu, ndoshta një tjetër mjet”: Kallas thotë se ditëve në vijim shqyrtohet normalizimi Kosovë-Serbi
Kryediplomatja evropiane, Kaja Kallas në një intervistë të dhënë së fundi, ka folur mes tjerash edhe për dialogun Kosovë-Serbi, ku ka thënë se mund të shqyrtohet ndonjë mjet tjetër për të normalizuar marrëdhëniet mes dy palëve.
Duke folur për “REL”, ajo ka thënë se normalizimi duhet të ndodhë përmes këtij dialogu, apo “ndonjë instrumenti tjetër”.
“Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, ose dialogun Beograd-Prishtinë, unë kam emëruar një Përfaqësues të Posaçëm, me të cilin do të ulem për të parë të ardhmen. Ajo që na intereson është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Qoftë përmes këtij dialogu, apo ndonjë instrumenti tjetër, ne do të mbledhim ide dhe do të dalim me një propozim” – ka thënë ajo.
Kallas është pyetur se a mund të ketë diçka tjetër, përveç dialogut, gjë të cilën s’e mohoi.
"Duket se dialogu ka ngecur pak, sepse palët vetëm po ankohen për njëra-tjetrën. Mendoj se duhet ta mbajmë qëllimin përfundimtar në mendje – normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, në mënyrë që të mund të ecin përpara në rrugën evropiane.
Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm në ditët në vijim".