“Ndërhyrja politike në gjyqësor, paraburgimet pa shkak”, Çka thuhet në raportin e Freedom House për drejtësi? - NACIONALE

“Ndërhyrja politike në gjyqësor, paraburgimet pa shkak”, Çka thuhet në raportin e Freedom House për drejtësi?

2 javë më parë

nga Arbër Ramadani

Jo rrallëherë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë sulmuar verbalisht gjyqësorin. Sa herë që Prokuroria sidomos ajo Speciale ka ndërmarrë ndonjë veprim për të hetuar apo akuzuar ndonjë zyrtar të partisë në pushtet, ose çfarëdo personi tjetër që në një mënyrë ose tjetrën lidhen me pushtetin, Kryeministri Kurti e eksponent të tjerë, s’linin gjë pa thënë për prokurorët e gjyqtarët.

Siç duket këto sulme, janë evidentuar edhe në raportin e fundit të Freedom House, në të cilin thuhet qartë se ndërhyrja politike në gjyqësor mbetet një problem.

“Ndërhyrja politike në gjyqësor mbetet një problem dhe korrupsioni i përhapur gjyqësor ndikon negativisht në pavarësinë e gjyqsorit. Kufizimet e burimeve dhe mungesa e gjyqtarëve të kualifikuar gjithashtu pengojnë performancën e gjyqësorit.”

Bile aty ka kritika edhe më specifika, duke u përmendur ndikimi i “elitave politike”, e bizneseve.

“Prokurorët dhe gjykatat mbeten të ndjeshme ndaj ndërhyrjeve politike dhe korrupsionit nga elitat e fuqishme politike dhe të biznesit, duke dëmtuar procesin e rregullt ligjor.”

Në këtë raport është evidentuar edhe një problematikë tjetër e gjyqësorit, që shpesherë ka rënë në sy edhe nga vrojtues vendor, sidomos nëse kemi parasyshë Gjykatën Speciale.

Qëndrimi i gjatë në paraburgim pa shkak tregon për joefikasitet në gjyqësor thuhet aty.

“Ligji thotë se të pandehurit nuk duhet të mbahen në paraburgim përpara gjyqit, përveç rasteve kur ata kanë gjasa të ikin ose të manipulojnë provat, gjyqtarët shpesh urdhërojnë të dyshuarit të ndalohen pa shkak. Paraburgimet e gjata janë të zakonshme për shkak të joefikasitetit gjyqësor dhe kufizimeve të burimeve.” – thuhet aty.

Në raport përmenden edhe organizatat terroriste si Mbrojta Civile e Brigada e Veriut, të cilat thuhet se po veprojnë ilegalisht.

“Edhe pse BE-ja ndërmjetësoi një marrëveshje në vitin 2015 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të shpërbërë forcën serbe të sigurisë Civilna Zastita (Mbrojtja Civile) në veri të Kosovës, ka pasur raportime se forca ka vazhduar të veprojë ilegalisht. Në qershor të vitit 2023, qeveria e shpalli Mbrojtjen Civile dhe Brigadën e Veriut, të dyja që veprojnë në veri, si organizata terroriste.”

Problem del të jetë edhe sjellja e policisë e gardianëve gjatë paraburgimve, sipas raportit ndojëherë policia ushtron dhunë ndaj të paraburgosurve.

“Kushtet e burgjeve janë përmirësuar vitet e fundit, por dhuna dhe kujdesi i dobët mjekësor mbeten probleme. Policia ndonjëherë keqtrajton të paraburgosurit në paraburgim.”

Diskriminimi ndaj grave, sidomos në organe udhëheqëse, si gjithmonë është pjesë e problemeve të shoqërisë kosovare, e që evidentohen poashtu në raport.

“Gratë përjetojnë diskriminim në punësim, veçanërisht në lidhje me punësimin për pozita të larta në qeveri dhe në sektorin privat. Ligji për Barazinë Gjinore synon të sigurojë që bordet drejtuese të kompanive private të kenë barazi gjinore, por kjo nuk është zbatuar gjerësisht.” – thuhet aty.

Ndryshe, Qeveria Kurti në pushtet kishte ardhë nën motot: Drejtësi e Punësim. Anipse kanë kaluar më shumë se 3 vjet nga ardhja në pushtet e Kurtit, drejtësia në vend edhe sipas raporteve ndërkombëtare po vazhdon të çaloj.

Lajme të ngjashme