“Ndarje e turpshme me Limajn, nëse e voton VV-në”, “ndoshta është thyer besa”: AAK s’përmbahet më ndaj Nismës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Bekë Berisha, artikuluan haptazi zhgënjimin e tyre lidhur me zhvillimet paszgjedhore të 9 shkurtit, duke e shprehur qartazi – pa ekuivok – pakënaqësinë e thellë ndaj drejtimit që ka marrë partneri i tyre i koalicionit.
Gjatë një prononcimi për media, Haradinaj tha nuk kanë pasur asnjë kontakt me kreun e NISMA-s, Fatmir Limajn, që nga intervista e bujshme e këtij të fundit, ku ai nuk e përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e Qeverisë së re.
Ai i faturoi fajin pikërisht Limajt për dështimin e deritanishëm të opozitës për krijimin e një shumice nga opozita duke thënë se “pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe më të vështirë”.
“Nuk kam komunikim nga intervista e fundit e famshme e Limajt. Ka qenë shumë i vështirë krijimi i shumicës nga opozita, pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe më të vështirë. Ka qenë i parakohshem.” – tha Haradinaj.
Ndarja, nëse partia e Limajt voton për Kurtin, sipas Haradinajt do të ishte “e turpshme”, duke argumentuar se vota në zgjedhjet e 9 shkurtit është kërkuar “për ndryshim”.
“Nëse NISMA dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ata ndahen nga ne. Por është një ndarje e turpshme, pasi kemi kërkuar vota për ndryshim dhe sjellja e tyre, veprimi i tyre është mjaft i turpshëm.” – tha kreu i AAK-së.
Keqardhje për drejtimin e zgjedhur nga Nisma, shprehu edhe deputeti i kësaj partie, Bekë berisha, i cili tha se kishte "besuar fuqishëm" në koalicionin me këtëparti dhe mundësinë e ndërtimit të një fronti të përbashkët opozitar.
“Sa i përket qeverisë nga opozita, ne i kemi qëndrimet tona të qarta. Për Nismën… s’kam biseduar me ta, sepse është dikush tjetër që i udhëheq ato bisedime. Kam besuar në koalicionin me Nismën dhe në fjalët që kemi thënë – se do të ndërtojmë një qeverisje të opozitës dhe do ta kthejmë Kosovën në drejtimin e duhur. Kam besuar fuqishëm. Ndoshta është thyer besa, por të shohim njëherë.”, tha ai, raporton KosovaPress.