Ndalimi një orësh i Sami Lushtakut në EULEX: Çka thotë avokati? - NACIONALE

Ndalimi një orësh i Sami Lushtakut në EULEX: Çka thotë avokati?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rreth orës 21:00 të premten, nënkryetari i Skenderajt dhe ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Drenicës, Smai Lushtaku do të ndalohej në Prishtinë nga EULEX-i. Më pas, u dërgua në zyret e tyre në Fushë-Kosovë, ku edhe qëndroi për rreth një orë. Çka ndodhi?

Para pak minutash, Lushtaku është liruar dhe ka dalë nga objekti i EULEX-it në Fushë-Kosovë. Para mediave, shkurt ka folur avokati i tij, Artan Qerkini, i cili ka konfirmuar se nënkryetarit të PDK-së në Skenderaj, i është konfiskuar telefoni.

Qerkini para mediave deklaroi se Lushtakut i është cënuar privatësia, pasi i është marrë telefoni dhe nuk ka pasur ndonjë paralajmërim, pasi nuk ka statusin e personit të dyshuar.

“Njëjtë, si herave të kaluara, mendojmë se ky veprim bie ndesh me ligjin sepse edhe z.Lushtaku nuk e ka statusin e personit të dyshuar, përkundër këtij fakti, i është cënuar privatësia, i është marrë telefoni mobil, do të paraqesim të gjitha mjetet juridike në kohën dhe pranë organeve kompetenve të dhomave të specializuara. Nuk ka pasë paralajmërim për arrestim, dhe as urdhër për arrestim. Nuk është i dyshuar, thjeshtë i është marrë telefoni.” – deklaroi ai.

Deklaratë të ngjajshme, ka pasur edhe i biri i tij, Mërgim Lushtaku, i cili u shpreh se “i është konfiskuar telefoni dhe nuk ka pasur urdhërarrest”.

Ndërkohë, gjatë kësaj kohe Nacionale qëndroi në terren, prej ku edhe pa që pranë zyreve të EULEX-it ishte mbledhur një numër personash.

Dikur, erdhi edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura.

Me t’u publikuar lajmi, nisën edhe reagimet. Gazetari dhe ish-ushtari i UÇK-së, Ilir Mirena shkroi:

“Fatkeqesisht, eshte edhe nje pjese e shoqerise sone qe do te donte t’i shihte te arrestuar, dhe mundesisht grumbull ne Hage…”

Në anën tjetër, ish-ushtari i UÇK-së dhe aktivisti shqiptar në Amerikë, Uk Lushi, ka thënë se Gjykata Speciale është duke u sjellur si organ suprem mbi shtetin e Kosovës.

“Nëse vazhdon ngacmimi dhe sjellja arbitrare, populli mund të reagojë ndaj poshtërimit me prapavija krejt tjera nga drejtësia dhe ka mjete tjera të mbrojtjes. Shteti duhet ta mbrojë popullin dhe të mos lejojë provokime si në kolonitë e të kaluarës.” – shkroi ai në Facebook.

Vlen të theksohet se të enjten, u bastis edhe shtëpia e ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi.

Nacionale jozyrtarisht nga burime të afërta me zhvillimet, ka mësuar se Selimi dyshohet për pengim të drejtësisë.

Për të njëjtën arsye, kishte pasur disa bastisje edhe vitin e kaluar.

Kujtojmë së në fundin e vitit të kaluar, Specialja pati zhvilluar një seri bastisjesh ndaj ish-këshilltarëve të presidentit Hashim Thaçi, si Blerim Shala dhe Artan Behrami.

Mënyra e tillë e bastisjeve, pati ngjallë shumë reagime në opinionin publik.

Para pesë muajsh, OVL e UÇK-së pati zhvilluar edhe një protestë te zyret e EULEX-it kundër bastisjeve të tilla.

Lajme të ngjashme