NATO dërgon 30,000 trupa në Norvegji
Mbi 30-mijë trupa të NATO-s, do të marrin pjesë në ushtrimet ushtarake të zhvilluara në Norvegji
Këto konsiderohen si ushtrimet më të mëdha të mbajtura ndonjëherë nga NATO, që nga përfundimi i luftës së ftohtë me Rusinë.
Rritja e tensioneve në Evropë, si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ka shtyrë 27 vendet anëtare duke përfshirë SHBA-të, Mbreterinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe Francën, që për një muaj duke filluar nga e marta të bashkohen në Norvegji për një ushtrim ushtarak të përbashkët.
Duke filluar nga e marta, këto vende do të kryejnë ushtrime nga toka, uji dhe ajri për një muaj.
Përveç Norvegjisë, këto ushtrime do të zhvillohen edhe në Oqeanin Atlantik dhe Detin e Veriut.
Shtetët skandinave Suedia dhe Finlanda, fqinje me Norvegjinë edhe pse nuk janë pjesë e NATO-s, do t’i bashkangjitën këtij ushtrimi.
Suedia dhe Finlanda, janë para një presioni të madh publik për të rimenduar anëtarsimin në NATO, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
“Kur një vend fqinj me NATO-n është në luftë, sigurisht që ndikon në të gjithë arkitekturën e sigurisë evropiane”, tha Yngve Odlo, gjenerali norvegjez i ngarkuar për stërvitjen, i njohur si “Reagimi i Ftohtë”, tha për Financial Times.
“Por nuk ka asnjë kërcënim në rritje për Norvegjinë dhe asnjë ndryshim në forcat ruse pranë kufirit tonë. Është një ushtrim i planifikuar prej kohësh dhe është fare e qartë se është një ushtrim mbrojtës.”
NATO ka rritur stërvitjet e saj ushtarake që kur Rusia aneksoi Krimenë në 2014. Norvegjia e ka bërë Arktikun, ose atë që ajo e quan Veriu i Lartë, prioritetin e saj kryesor strategjik. Gjenerali Odlo ka thënë se stërvitja është krijuar për të testuar se sa mirë mund të integroheshin forcat e NATO-s me trupat lokale.
“Është për t'u siguruar që forcat aleate të jenë në gjendje të operojnë në Veriun e Lartë, të tregojnë kohezion dhe se NATO është një partner i besueshëm.”
NATO është e shqetësuar se Rusia mund të synojë të destabilizojë zona të tjera të Evropës gjatë pushtimit të Ukrainës, në një përpjekje për të shpërqendruar ose përçarë aleancën, kanë thënë zyrtarët e lartë të NATO-s.
Stërvitja është mbajtur qëllimisht larg kufirit të Norvegjisë me Rusinë, ushtrimet do të mbahen në qytetet e Narvik dhe Harstad, rreth 470 km nga Rusia.
Rusia u njoftua në nëntor për stërvitjen dhe u ftua të bashkohej, por Odlo tha se ata kishin refuzuar dhe e falënderuan për ftesën.
“Ne jemi plotësisht të hapur për këtë ushtrim. Për sa kohë që ne jemi transparentë, atëherë u takon rusëve të vijnë apo jo”, tha Odlo, i cili është gjithashtu komandant i shtabit të përbashkët norvegjez.
Trupat kanë mbërritur në Norvegji prej disa javësh, duke u përfshirë si pjesë e të ashtuquajturës stërvitje të “Kërcimit Briliant”, që paraprin dhe zhvillohet në “Përgjigje të Ftohtë”.
Reagimi i Ftohtë fillon me zbarkimin e më shumë trupave në Norvegji të enjten dhe gjatë javës në vijim, ndërsa fushata detare nis javën e ardhshme, e ndjekur nga një fazë ajrore dhe tokësore, duke përfshirë zbarkimet amfibe. Rreth 14.000 forca tokësore, 8.000 detare dhe 8.000 ajrore do të marrin pjesë në reagimin e ftohtë.
Norvegjia dhe vendet e tjera nordike kanë synuar ta mbajnë Arktikun një zonë me tension të ulët. Por, SHBA-të kanë shprehur shqetësimin për atë që po bëjnë Rusia dhe Kina.
Të shtatë vendet perëndimore, pjesë e Këshillit Arktik, organi kryesor i bashkëpunimit për rajonin, pezulluan kontaktet me Rusinë pasi ajo pushtoi Ukrainën më 24 shkurt. Kjo është e kundërta se çfarë bënë me rastin e aneksimit të Krimesë kur Këshilli Arktik ishte i vetmi organ ndërkombëtar i cili vazhdoi diskutimet e përzemërta me Moskën.
Rusia po zhvillon Arktikun si për të shfrytëzuar burimet natyrore dhe për të shfrytëzuar transportin e mallrave përmes Rrugës së Detit të Veriut, ashtu edhe për ta mbrojtur atë përmes bazave ushtarake.
Norvegjia e kontrollonte të gjithë pjesën më parë, por tani në prag të tensioneve, prania e NATO-s është e rëndësishme.