Nagavci: Vendimin përfundimtar për librat do ta bëjmë publik nesër ose të enjten
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka folur në emisionin "RTK Prime" rreth planit për blerjen e teksteve shkollore nga ana e prindërve dhe më pas rimbursimin e tyre përmes platformës "eKosova".
Ajo nuk ka bërë të qartë nëse ky plan do të jetë vendim përfundimtar i Qeverisë së Kosovës, por ka deklaruar se vendimi final do të bëhet i ditur për publikun brenda dy ditëve të ardhshme.
“Përfundimisht Qeveria do të sigurojë tekstet për fëmijët duke marrë përsipër të gjitha obligimet financiare sipas ligjit. Jemi duke e shqyrtuar, jemi me gjithçka gati. Vendimin përfundimtar do ta bëjmë publik nesër pasdite apo të enjten në mëngjes”, ka pohuar Nagavci.
“Obligimi ligjor i Ministrisë së Arsimit është të siguroj librat nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Për nxënësit e klasës së gjashtë deri në klasën e nëntë me kërkesën tonë në fund të vitit të kaluar shkollor, shkollat i kanë mbledhur ato në mënyrë që ato të përcillen te gjeneratat e ardhshme”, ka thënë më tej Nagavci.
Për prindërit që nuk dinë të qasen në platformën "eKosova", ministrja ka paralajmëruar se do të ofrohet një linjë telefonike ku ata mund të mësojnë për mënyrat e përdorimit të platformës.