Nagavci shkeli Kushtetutën - PSD e fiton rastin në Kushtetuese - NACIONALE

Nagavci shkeli Kushtetutën - PSD e fiton rastin në Kushtetuese

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Kushtetues e Republikës së Kosovës ka gjetur se Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që drejtohet nga ministrja Arbërie Nagavci ka shkelur Kushtetutën e Kosovës me vendimin e 23 prillit 2021 ku jepte direktiva për organizimin e mësimit në Komunën e Kamenicës dhe hudhte poshtë reformën e ndërmarrë nga Qendron Kastrati, shkruan Gazeta Express.

Përplasja e ish-Kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, me Lëvizjen Vetëvendosje në lidhje me reformën në arsim, filloi menjëherë pasi Kastrati ndau rrugët me Vetëvendosjen.

Çështja e reformës ishte më e përfolura dhe mbase vendimtare, gjatë fushatës zgjedhore, për zgjedhjet komunale në Kamenicë.

Vetëvendosje e mposhti Kastratin me kandidatin e saj Kadri Rahimaj edhe mbi bazën e anulimit të reformës në arsim, e ku Rahimaj e kishte mbështetjen edhe të nivelit qendror, konkretisht të ministres Nagavci.

Për këtë, partia e Kastratit (PSD) dërgoi në Kushtetuese ministren Nagavci.

Ndërsa sot, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë Aktgjykim, me të cilin i jep të drejtë PSD-së, ndërsa vendimin e ministres Arbërie Nagavci e gjen jokushtetues.

Gjykata ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit të 23 prillit 2021 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (në tekstin e mëtejmë: MASHTI). Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij akti është parashtruar në Gjykatë nga Komuna e Kamenicës bazuar në autorizimet e përcaktuara me paragrafin 4 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar, Gjykata njëzëri vendosi që: (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Vendimi [nr.01B/24] i 23 prillit 2021 i MASHTI-it, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2 dhe 3 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (iii) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme; dhe (iv) të refuzojë kërkesën për tërheqje të kërkesës”, thuhet në vendim.

Pas këtij Aktgjykimi, kanë ardhur edhe reagimet e para nga partia e PSD-së, që udhëhiqte me reformën në arsim në Kamenicë e të cilën e ndali ministrja Nagavci.

Anëtarja e kësaj partisë, Natyra Kuçi kërkoi dorëheqjen e Nagavcit dhe vazhdimin e Reformës.

Aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese e gjeni këtu.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që ministrat e Kurtit e shkelin Kushtetutën. Një shkelje e aktit më të rëndësishëm juridik të shtetit kishte ndodhur edhe gjatë qeverisë KURIT I. Atëbotë Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pati vendosur që komunën e Prizrenit ta shpallë "zonë karantine" pa ndonjë rekomandim të IKSHPK-së.

Këtë vendim Kushtetuesja e pati shpallur jo-kushtetues, pasi sipas saj, i njejti cënonte nenet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe një gjë e tillë nuk ishte e përcaktuar me ligjet e Kosovës.

Kryeministri Kurti kohë më parë kur komentonte mbi Kushtetutshmërinë e shkelësit e saj, nuk pati hezituar që këta të fundit t'i quajë Super-Kriminelë.

Lajme të ngjashme