Nagavci refuzon kërkesën e Këshillit të Prindërve që fëmijët të pushojnë me 4, 5 dhe 6 janar
Këshilli i Prindërve përmes një njoftimi në Facebook, ka bërë të ditur se i janë drejtuar ministres Arbërie Nagavci me kërkesë, që të zëvedësohet për fëmijë, i planifikuar për datat 27 janar e tutje. Prindërit kanë kërkuar që i njejti të zëvendësohet për datat 4, 5 dhe 6 janar, për shkak të atmosferës festive, e ardhjes së bashkëatdhetarëve në vend, thuhet në arsyetim.
Tutje në njoftimin e Këshillit, thuhet se Nagavci e ka refuzuar këtë kërkesë, kinse për shkak të procedurave administrative.
Këshilli u bën thirrje prindërve ta zbatojnë këtë vendim.
Njoftimi i plotë:
Pushimet e vitit të ri
Të nderuar prindër,
E kemi menduar të përshtatshme, e për këtë kemi pasur shumë kërkesa nga prindërit (sidomos nga Prishtina) që të ndryshohet pushimi i fundit të janarit 2023. Propozimi i Këshillit të Prindërve ishte që ditët e planifikuara për pushim prej 27 janarit e deri më 2 shkurt 2023 të zhvendosen e të bëhet pushim më 4, 5 dhe 6 janar 2023. Kjo meqë (tradicionalisht) për vitin e ri ka më shumë frymë festive e pushimesh dhe kemi shumë mërgimtarë që vizitojnë Kosovën.
Me këtë kërkesë, e me këto arsye, i jam drejtuar Ministres së Arsimit, znj. Arbërie Nagavci. Por, Ministrja Nagavci e ka refuzuar kërkesën, duke dhënë arsyetime procedurash administrative. Gjykoj se kërkesa e Këshillit të Prindërve ka qenë e arsyeshme e mundshme për t’u realizuar por nuk ka pasur vullnet nga Ministrja për ta bërë këtë.
Por përkundër që gjykojmë se pushimi i menduar në fund të janarit e jo në fillim të tij, nuk është zgjidhja e dëshiruar dhe më e mira për prindërit e nxënësit, ju ftoj, prindër të nderuar, që ta respektoni këtë vendim dhe më 4 janar të vazhdojë mësimi.
Shkollat do të jenë të hapura prej 4 janarit 2023 dhe mësimdhënësit do të detyrohen të jenë në shkolla në ato ditë pune. Andaj mungesa e nxënësve vetëm jua komplikon proceset mësimdhënësve dhe menaxhmentit të shkollave, për çka nuk kemi qenë asnjëherë të interesuar. (Kuptohet që ky fakt nuk mund të krahasohet me mësimin e planifikuar gjatë të shtunave, kur edhe prindërit edhe fëmijët e edhe mësimdhënësit e kishim pushim me legjislacionin në fuqi.)
Duke ju uruar një vit të mbarë në familjet e gjithsecilit, ju lutem pranojini urimet e mia më të sinqerta, në emër të Këshillit të Prindërve të Kosovës! Njëkohësisht jua shpreh mirënjohjen për mbështetjen, bashkëpunimin e angazhimin tuaj vullnetar e vullnetmirë për të mirën e fëmijëve nxënës në gjithë Kosovën!