Nagavci për Ditën e Mësuesit: Do vazhdoj të jem zëri juaj - NACIONALE

Nagavci për Ditën e Mësuesit: Do vazhdoj të jem zëri juaj

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, i ka uruar mësimdhënësit për 7 Marsin, Ditën e Mësuesit.

Nagavci përmes një videoje të publikuar në Facebook është shprehur se e vlerëson pafundësisht punën e mësuesve kosovar.

“Sot misioni ynë mbetet këmbëngulja për punë dhe përkushtim, angazhim të gjithmbarshëm të mësimdhënësve tanë për ta avancuar mësimdhënien dhe për ta bërë atë konkurrente me vendet e zhvilluara. Si mësimdhënëse dje, dhe si ministre sot, njoh dhe vlerësoj pafundësisht punën tuaj. Do të vazhdoj të jem zëri juaj në përpjekjen për të bërë më të mirën për fëmijët tanë”, u shpreh Nagavci.

“Të dashur mësimdhënës. Po shënojmë sot një ditë të rëndësishme të historisë tonë kombëtare, 7 Marsin – Ditën e Mësuesit dhe të shkollës shqipe. Dita që simbolikisht shënon rrugëtimin e gjatë të zhvillimit dhe të avancimit të shoqërisë shqiptare. Të një pune të jashtëzakonshme dhe një përpjekje të pareshtur për të ndriçuar rrugën e brezave të tërë. Mësimdhënia mbi të gjitha është një mision sidomos në rrethanat në të cilat jemi gjendur ne, kur krahas arsimit është bartur brez pas brezi edhe fryma e atdhedashurisë dhe kërkesës së fuqishme për liri e shtet”- shtoi ajo.

Lajme të ngjashme