Nacionale nxjerr detaje nga darka e Kurtit me sheikë ku u dhanë miliona - NACIONALE

Nacionale nxjerr detaje nga darka e Kurtit me sheikë ku u dhanë miliona

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një darkë e kryeministrit Albin Kurti me sheikët arabë, në shtatorin e vitit që lamë pas, kishte kushtuar “miliona euro”. Shumë para atë natë dhanë arabët për të funksionalizuar plotësisht spitalin Pediatrik “Sheikha Fatima”. Por që kjo të bëhej, duhej të trajnoheshin qindra mjekë e infermierë kosovarë në mënyrë që të punonin me aparaturat e sofistikuara që ndodhen brenda spitalit të ri. Por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. E ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, po premton se spitalin së shpejti do ta funksionalizojë, ani që ka dilema se mjekët janë trajnuar për të punuar me ato aparatura.

Një ditë para se të inaugurohej spitali pediatrik “Sheikha Fatima” në QKUK, kryeministri i vendit Albin Kurti kishte takuar delegacionin arab për t’i falënderuar për projektin e tyre si donacion, por edhe për t’u marrë vesh se si do të shkonte procedura të nesërmen në ditën e inaugurimit të spitalit me vlerë milionëshe.

Por Kurti para sheikëve arabë e pati edhe një kërkesë të fundit. U kërkoi atyre edhe disa milionë euro në mënyrë që stafi mjekësor të trajnohej për të qenë i gatshëm për të punuar me aparaturat e atij spitali.

Burime të Nacionales kanë rrëfyer se çka kishte ndodhur në darkën e Kurtit me sheikët arab.

“Krahas kërkesave edhe për disa aparatura e gjëra tjera shtesë, pala kosovare u kërkoi atyre mjete financiare për të trajnuar stafin mjekësor për të punuar me ato aparatura. Normalisht që sheikët nuk e menduan dy herë dhe i ndanë gati 10 milionë euro për aparatura shtesë e për trajnim të stafit”, thotë për Nacionalen ky burim i cili ishte i pranishëm në darkën e Kurtit me sheikët.

Por edhe pse paratë u premtuan, ende as edhe një mjek nuk është trajnuar për t’u ballafaquar me aparaturat të cilat janë të teknologjisë së fundit. E spitali, pritet të nisë punën së shpejti.

Nga Ministria e Shëndetësisë që tash udhëhiqet nga ministri Rifat Latifi, kanë bërë të ditur për Nacionale.com se funksionalizmi i këtij spitali pritet të ndodhë së shpejti.

“Ndërkohë që funksionalizimi i Spitalit kirurgjik pediatrik do të bëhet së shpejti dhe shërbimeve aktuale për fëmijë në Kosovë, do t'u shtohen edhe disa shërbime më të integruara dhe numri i rasteve që kërkojnë mjekim jashtë të reduktohet", deklarojnë për Nacionale nga MSH.

Nga SHSKUK po e presin veç ministrin Latifi

Nga Qendra Klinike e Universitare e Kosovës thonë se po e presin veç dritën e gjelbër nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për të filluar punën. Ani se mjekët tanë ende nuk janë trajnuar për të punuar me ato aparatura.

Por drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi në një deklaratë për Nacionalen theksoi se ata janë gati.

“Deri sa të caktohet zyrtarisht data, nuk mundem me thanë diçka. Mjekët kanë punuar gjithnjë me ato aparatura. Janë ma të rejat, por nuk janë diçka që mjekët s’janë në gjendje me punu me ato aparatura. Pasi që ta caktojë ministria. Ne procedurat tona krejt i kemi përfunduar."

Ndërkohë, kohë më parë edhe kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla, u shpreh se është për të të ardhur keq, pasi investimet në spitalin e Pediatrisë janë enorme e paisjet janë mjaft moderne, por ka pak profesionistë që mund të punojnë me ato pajisje.

“Kosova ka mungesë të kuadrove që mund ta ushtrojnë atë detyrë në QKUK, janë 51 anesteziologë dhe aty është Kirurgji Pediatrike, plus duhet të ketë specializime specifike me të cilat duhet me u marrë, andaj nuk është menduar mirë siç nuk po mendohet se fushatat politike po dalin po ndërtojnë spitale por spitalet duhet me mirëmbajtë dhe duhet me funksionu me dikë. Nuk mundemi ne me funksionalizu diçka për të cilën ne nuk kemi kuadro. Andaj, është për të ardhur keq, investimet janë enorme, janë shumë moderne, mirëpo kemi pak profesionistë që mund ta ushtrojnë këtë detyrë“, pati thënë Syla për mediat.

E janë bërë më shumë se shtatë muaj që kur shiriti për përurimin e këtij spitali u pre nga ana e krerëve të shtetit. Sidoqoftë, puna ende nuk ka nisur. /Nacionale.com/

Lajme të ngjashme