"Na ktheni trajnerin": Mbahet marsh për Millenkoviq Llunen e arrestuar dje
E ashtuquajtura, Shoqata e Sporteve të Kosovës dhe Metohisë i ftoi sot qytetarët që në ora 13:30 t’i bashkohen një marshi në Mitrovicën e Veriut, në përkrahje të të arrestuarit Millun Millenkoviq, i cili u arrestua dje nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
Millenkoviq i njohur me nofkën Llune, trajner kikboksi e prijës i bandave kriminale, është identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës, në një veprim që i la të lënduar tre zyrtarë policorë të vendit dhe që mblodhi protestues serbë në Mitrovicën e Veriut.
Sipas Shoqatës, Millenkoviq është dikush që i ka futur në borxh të gjithë qytetarët.
‘’Vëllezër dhe motra, ju ftojmë të gjithëve të vini në monumentin e Knez Llazarit në orën 13:30 dhe të ecni për të mbështetur vëllain tonë Llune. Llune na ka vënë borxh të gjithëve, na ka futur në borxh qytetin dhe vendin tonë. Më e pakta që mund të bëjmë është të mbështesim Llunen!’’- ka shkruar shoqata në rrjetin social ‘’Facebook’’.
Shoqata ka bërë thirrje që të mblidhen në ora 13:30 për të mbështetur familjen e Millenkoviqit.
‘’Mblidhemi në orën 13:30 dhe më pas shkojmë në rrugën Lola Ribara në kryqëzimin pranë Shkollës Teknike për të mbështetur Llunen dhe familjen e tij me duartrokitje dhe ja ku përfundon ecja. Nuk je vetëm, trajner!’’- thuhet në njoftim.
