Tërnava uron besimtarët për muajin e Ramazanit: Lusim Zotin që sa më parë të ndalen luftërat - NACIONALE

Tërnava uron besimtarët për muajin e Ramazanit: Lusim Zotin që sa më parë të ndalen luftërat

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka uruar të gjithë besimtarët për fillimin e muajit të Ramazanit.

Në një konferencë për medie, ai ka folur për rëndësinë e agjërimit të Ramazanit dhe mësimeve e mirësive të shumta që fitohen nga ky muaj.

“Sonte, fillimisht me faljen e namazit të taravive e nesër në agim me ngrënien e syfyrit, besimtarët myslimanë nisin muajin e agjërimit – Ramazanin. Andaj, kam kënaqësinë që sot në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal t’ju drejtohem me përgëzimet dhe urimet më të mira, me bindje e shpresë që muajin e bekuar Ramazan ta presim e ta përjetojmë në formën më të mirë. Të dashur besimtarë, Agjërimi është ibadet i veçantë, që realizohet në muajin e caktuar, me vakte, mision e synim të caktuar. Agjërimin, besimtarët e kryejnë me përkushtim e devocion për hir të Krijuesit dhe për të merituar mëshirën dhe begatitë e Tij. Përveç kësaj, agjërimi si asnjë ibadet tjetër shpërfaqë bindjen, dashurinë dhe sinqeritetin ndaj Krijuesit tonë - Zotit xh.sh”, ka thënë Tërnava.

Në mesazhin e tij për besimtarët, ai është lutur edhe për ndaljen e konflikteve në botë.

“Mësimet, vlerat dhe misioni i agjërimit janë më se të nevojshme për shoqërinë edhe ashtu të trazuar që po kalon ditë jo të mira, me luftëra e konflikte. Prandaj, në këtë natë të madhe, në vigjilje të fillimi të këtij muaji të madh, lusim Zotin xh.sh. që sa më parë të ndalen luftërat e konfliktet, dhe popujt të jetojnë të qetë në paqe e harmoni. Misioni i njeriut në këtë botë nuk është që të krijojë trazira, gjakderdhje, vuajtje e shkatërrime, por të jetojë me dinjitet, ashtu siç na ka udhëzuar Krijuesi i gjithësisë”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme