“Mustafën e quajtën vampir, Gërvalla keshke”: Kryediplomatja tallet pas një intervistë të çuditshme - NACIONALE

“Mustafën e quajtën vampir, Gërvalla keshke”: Kryediplomatja tallet pas një intervistë të çuditshme

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Paraqitjet nëpër media qendrore i ka mjaft të rralla, madje edhe në Kuvendin e Kosovës s’e shohim shpesh. Megjithatë, shefja e diplomacisë Donika Gërvalla ka vendosur ta japë një intervistë në një television lokal. Deklaratat e dhëna aty, e shndërruan në temë të ditës kryediplomaten tonë.

Dihet që vartësit e bashkëpunëtorët kujdesen që në secilën paraqitje, ta lavdërojnë kryeministrin Albin Kurti. Njëjtë ka bërë edhe Gërvalla, madje duke thënë se ndihet krenare kur ndodhet në një dhomë me shefin e Qeverisë.

“...E kam fatin, për dallim nga qytetarët, që të jem shpesh në takimet që ai zhvillon. Dhe nga njëherë s’mund ta ndali veten sa jam krenare që ndodhem në atë dhomë. Jo vetëm që është i mençur, jo vetëm që është i vendosur, por është tepër tepër i saktë në kërkesat që i nevojiten këtij vendi. Jam shumë e bindur që ky kryeministër asnjëherë nuk luan me fatin e vendit...” – ka thënë ajo.

Nuk kaloi shumë kohë dhe nisën reagimet, për të mos thënë, ironitë e talljet.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, analisti Imer Mushkolaj tha se “edhe ai sa herë e takon Kurtin, s’mund ta ndalë vetën sa krenar është që ndodhet në një hapësirë me të”.

Ndërkaq, gazetari Vehbi Kajtazi, la të kuptohet se zëvendëskryeministrja Gërvalla “nuk mund t’ia vlerësojë mençurinë kryeministrit”.

“Per me ia vleresu dikujt mençurine, duhesh te jesh ne nivel me te. Faleminderit e nderuar!” – shkroi ai në Facebook.

Gazetari Parim Olluri ndërkaq, ka vënë në pah se si kur njëri prej shikuesve telefonoi në emision dhe e quajti “vampir” ish-kryeministin Isa Mustafa, Gërvalla ka qeshur.

“Kryediplomatja jone, Donika Gervalla, paska dhene interviste ne nje emision te Istogut. Emision me thirrje te shikuesve. Thirri njani edhe i thojke vampir Isa Mustafes. Donika Gervalla keshke. Kenaqej me ofendimin ndaj Mustafes. Jashtezakonisht joserioze. E tmerrshme.” – ka thënë ai.

Çka tha tjetër Gërvalla?

Mes tjerash, ajo ka pasur kritika të ashpra për ish-partinë e saj, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sipas Gërvallës, ky subjekt politik ka lidhje të fuqishme me zyrtarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku.

“Unë mendoj që LDK-në nuk e ndëshkoi PDK-ja, as Guxo, as VV. E ndëshkoi shkelja e premtimeve, dhe largimi nga rruga që pritet nga votuesi. Asgjë sot në LDK, ata edhe emrin nuk duan ta kenë LDK-në, por Rruga e re, Lidhja. Lidhjet më të fuqishme ata i kanë me Sami Lushtakun.” – ka thënë ajo.

Ndërkaq, intervista e dhënë për “Istogu Channel”, ka zgjatur diku më shumë se një orë, e ajo madje, iu përgjgij edhe telefonatave të shikuesve.

Gërvalla ka marrë urime dhe përgëzime të shumta nga shikuesit për punën që po bën. Pas përshëndetjeve të ngrohta, ajo me kënaqësi përgjigjej në pyetjet e tyre.

Intervista zhvillohej në një ambient të ngushtë, ku shpesh dëgjohej “ngici” i ulëses së autorit të emisionit.

Lajme të ngjashme