Murati u mor me Abdixhikun: LDK-ja ia kujton naftën, rrugët, humbjet e Trustit e rritjen e çmimeve - NACIONALE

Murati u mor me Abdixhikun: LDK-ja ia kujton naftën, rrugët, humbjet e Trustit e rritjen e çmimeve

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një të enjte pune, zgjodhi të merret me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Këtij të fundit ia publikoi një deklaratë për Trustin, duke thënë se projeksionet e tij janë joserioze.

“Kthimi/fitimi i Trustit ka kapur shifrën 203 milionë euro për 9 muajt e parë të vitit 2024. Besoj u kujtohet parashikimi ogurzi që bënte Lumir Abdixhiku se si Trusti do të humbte nga gjysëm milionë euro në ditë. Kaq pra për seriozitetin e analizave e projeksioneve të tyre!”, ka shkruar Murati në rrjete sociale.

Nuk vonuan shumë, dhe erdhën reagimet e ashpra nga LDK-ja. Deputetja Hykmete Bajrami, publikoi tri postime me radhë në përgjigje të Muratit, duke ia numëruar siç e cilëson LDK-ja, dështimet në ekonomi.

Në postimin e parë, Bajrami e pyet Muratin për 31 milionët që janë shpenzuar për karburante.

“Një pyetje publike për Hekuran Muratin i cili sot e paska vendosë me kalu kohën në facebook. Çka ka me thanë ''ministri i financave'' lidhur me konfirmimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2023, faqe 42, ku thuhet se gjatë vitit 2023 vetëm për karburante janë shpenzuar 31 milionë Euro, ndërsa për furnizime mjekësore 51 milionë Euro. Pra, furnizime mjekësore për krejt qytetarët e Kosovës 51 milionë Euro, a veç naftë për vetura zyrtare 31 milionë Euro, (ta kemi të qartë bëhet fjalë për një një vit, jo për një mandat)”, ka shkruar Bajrami.

Në postimin e dytë, Hykmete Bajrami ia kujton Muratit se Trusti ka pasur ulje të fitimeve për 60 milionë euro.

“Hekurani paska folë edhe për Trustin. Gjendja e mjeteve në Trust javën e parë të Gushtit, ulje e fitimeve për rreth 60 milionë Euro”, ka shkruar Bajrami.

Edhe në postimin e tretë, deputetja e LDK-së pati disa pyetje për ministrin e Financave.

“Edhe dy pyetje tjera për Hekuranin: ➡︎Pse e shtyve zbatimin e Ligjit për tatimin në pronë të bizneseve, a u binde që e ke gabim a po e bën vetëm për fushatë elektorale? ➡︎Pse s'po e zbatoni vendimin për pagën minimale? Prej datës 16 shtator 14 gra janë në grevë, në oborr të Kuvendit të Republikës së Kosovës sepse paga e tyre është nën pagën minimale”, ka shkruar Bajrami në rrjete sociale.

Një përgjigje për Muratin e pati edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi. Ky i fundit Hekuran Muratin e quajti ministër të propagandës.

“Për Ministrin e propagandës. Po, është fakt pamohueshem. qe Trusti ka pas humbje, gjysëm milioni euro në ditë, si pasojë e dështimit të juaj personal për të zgjedhur anëtarët e Bordit të Trustit. Sa merresh me arkiva të mediave, merru me - rritjen ekonomike, që e ke nën nivelet e pas periudhës të pavarësisë (lexoje e ke si konstatim edhe në Raportin e Progresit) - rritjen mbi 50% të çmimit të bukës dhe qumështit - paafrësinë për të investuar në ekonomi, me nivelin me të ulët të investimeve publike në 10 vitet e fundit - me “rekordin” e 2 kilometrave rrugë të reja - me urën 8 metra në Badofc, që nuk po përfundon as pas 500 ditëve - me 5 miliardë deficit tregtar”, ka shkruar Rukiqi.

Përplasje të tilla për tema ekonomike, LDK-ja ka pasur në vazhdimësi me ministrin Murati.

Lajme të ngjashme