Murati thotë se VV-ja vazhdimisht ka ofruar alternativa kreative për tejkalimin e ngërçit
Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, ka vazhduar kritikat ndaj opozitës së deridjeshme, duke thënë se këto parti po e bllokojnë konstituimin e Kuvendit.
Pas ndërprerjes së seancës, ai ka thënë se VV-ja vazhdimisht ka dhënë alternativa për tejkalimin e situatës.
“Edhe sot ishte vazhdimi i radhës i seancës konstituive i cili fatkeqësisht përsëri nuk prodhoi rezultat si pasojë e bllokadës që po vazhdojnë ta bëjnë partitë opozitare. Ne si subjekt fitues jemi munduar që prej seancës së parë që të ofrojmë alternativa, mundësi zgjidhje kreative, qoftë duke propozuar kandidaten për kryere si ftues të zgjedhje që na takon me Kushtetutë”, ka thënë ai, duke përmendur detaje tjera.
“Kur e kemi parë që ka probleme dhe mungesë të konsenzuesit nga partitë tjera, kemi ofruar mundësinë të diskutojmë edhe nënkryetarët në pako, pra që të këtë një dakordim për të gjithë, në mënyrë që të ecet tutje. Nuk kanë pranuar, kanë refuzuar”, ka thënë ai.
Sipas tij, edhe votimi i fshehtë është alternativë.
“Kemi ofruar edhe mundësinë e zgjidhjes se situatës përmes votimit të fshetë. E patë dje në Bundestagun gjerman që kancelari i ri gjerman u zgjodh përmes votimit të fshehtë, kemi rastin edhe në Kosovë ku pozita e presidentit zgjidhet me votim të fshehtë, kur rastin e kryesuesit te Asamblesë Komuna që zgjidhet me votë të fshehtë”, ka thënë Murati.