Murati kritikon komunat e opozitës: Britmat nuk i kanë as për qytetarin e as për shtetin
Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka kritikuar opozitën, e cila sot ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për tatimin në pronë.
Ai ka bërë me dije se ky është një veprim i gabuar, duke shtuar se Qeveria e ka miratuar ndryshimin e Ligjit për Tatim në Pronë, i cili ua mundëson komunave të falin fatura deri në 100 euro për vitin 2023.
Në profilin e tij në Facebook”, Murati ka shkruar se veprimi i tyre është i kot.
“Dhe, çfarë bëjnë tash ata që para 6 muajsh “qanin hallin e qytetarëve”? E dërgojnë ligjin në Gjykatë Kushtetuese. Pra, po dëshmohet edhe njëherë që britmat këta nuk i kanë as për qytetarin e as për shtetin. Sidoqoftë, edhe ky veprim i tyre është i kotë”, ka shkruar Murati.
Sipas tij, ky veprim i opozitës nuk pin ujë te populli.
“Krejt çka po duan të bëjnë me këtë potez kasta e vjetër politike, është që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata “do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese”. Por kjo nuk pin ujë. Sepse ligji i ndryshuar tashmë është në fuqi, dhe secila komunë ka mundësinë të vendosë për faljen ose jo të një pjese të tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit më së largu me 15 shtator 2023”, ka shkruar Murati.