Mungesa e lirisë së udhëtimit, kufi i rëndë për artin dhe sportin - NACIONALE

Mungesa e lirisë së udhëtimit, kufi i rëndë për artin dhe sportin

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Verona Krasniqi dhe Pranvera Berisha

Sead Vuniqi, balerin në Baletin Kombëtar të Kosovës, në verën e vitit të kaluar ishte i ftuar special në festivalin “Internacional Bühnenwerkstatt”. Por, për dallim nga mysafirët tjerë, nga vende të tjera të Evropës, ai më të lehtë e kishte përgatitjen profesionale sesa rrugën deri në Graz. Vuniqi rrëfen të i jenë bërë shumë malltretime gjatë procesit të pajisjes me vizë. Ambasada e Austrisë në Kosovë, nuk po e kryente shërbimin e pajisjes me viza, për këtë atij iu desh që të aplikonte në Shkup. Kjo kishte bërë që ai pothuajse të dorëzohej për realizimin e performancës së tij në Graz.

Balerini kishte plotësuar aplikacionin online, mirëpo Ambasada i kishte kërkuar dokumente shtesë të cilat nuk kishin qenë asnjëherë në aplikacion, e që nuk kishte ditur si t’i garantonte.

“Për shkak të këtyre procedurave të gjata, unë definitivisht kam pas hekë dorë prej Festivalit dhe i kam lajmëruar që nuk mundem të vij”, ka thënë ai.

Histori të ngjashme, kanë shumë artistë e sportistë nga Kosova. Nuk janë të paktë ata që kanë hequr dorë ose u janë pamundësuar udhëtimet shkaku i vizave. E Kosova është i vetmi vend në rajon, qytetarët e të cilit nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes.

Për revistën “Intro”, Vuniqi ka treguar se Ambasada e Austrisë në Shkup në mungesë të informatave, e konsideronte paksa çudi se një balerin nga Kosova ishte i ftuar për të përformuar në Austri. Paraprakisht në vitin 2015, Baleti Kombëtar i Kosovës kishte dhënë në Graz shfaqjen “Xhuljeta pa Romeon”. Por kjo histori, nuk i kishte ndihmuar Vuniqit që gjashtë vjet më vonë të pajisej më lehtë me një vizë të Austrisë.

Ai vetëm për një dokument kishte shkuar pesë herë në Shkup.

“Kush je ti?, pse po shkon atje?, pse të kanë ftuar ty?”, rrëfen të jenë disa nga pyetjet që i janë bërë, përveç procedurave me të cilat ishte përballur.

Vuniqi, vlerëson se për një balerin është më e rëndësishme që të merret me prova sesa me problemet e vizave.

“Personalisht kam pasur të përgatitem rreth një muaj e gjysmë për festival. E procesi i vizës më mori kohë një muaj ”, shtoi balerini.

Sipas tij, mungesa e vizave ndikon në psikikë duke dekurajuar artistët.

Në Baletin Kombëtar të Kosovës, sipas zëvendësuesit të drejtorit Kreshnik Musolli, raste të anulimit komplet të aktivitetit nuk ka pasur, por për ata është shumë e vështirë sepse në çdo aktivitet që e kanë jashtë shtetit janë procedurat e njëjta.

Për këto procedura Musolli ka treguar se kanë pasur vështirësi dhe ambasadat nuk iu kanë ndihmuar asnjëherë.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë që ambasadat të jenë të gatshme të na i lehtësojnë procedurat”, ka thënë ai.

Tutje ka treguar, se në shumicën e rasteve që kanë aplikuar, ani se kanë kërkuar që t’iu jepet viza për më gjatë, iu ishte dhënë vetëm për ato ditë që e kanë pasur aktivitetin.

Sipas zëvendësministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit Sejnur Veshall, Ministria si instanca më e lartë kulturore, për artistët ka bërë ndërlidhje me ambasadat për procedurat e vizave që të pajisen me to.

“Ani se prej perspektives sonë është goxha sfidë, te pjesëtarët e komunitetit artistik është edhe më sfiduese, duke pasur parasysh se kërkesa të tilla shpeshherë munden me pas dështime, ne prapëseprapë dërgojmë referenca tek ambasadat”, shtoi zëvendësministri.

Veshall, tregoi se para një kohe, dy regjisorëve Benjamin Menekshe dhe Loreta Berbatovci, Ministria iu kishte ndihmuar për viza përmes rekomandimeve në ambasada.

“E kemi bërë një mbështetje të referencave tek Ambasada Gjermane për dy regjisorë të rinj që të pajisen me viza dhe procedura ka marrë hovin e duhur”, ka thënë ai.

Artistët e shohin si zgjidhje të vizave, marrjen e pasaportës së një shteti tjetër

Për të shmangur procedurat e pajisjes me viza, ka prej artistëve që kanë marrë shtetësi të vendeve të tjera. Dramaturgu dhe drejtori artisik i Qendrës Multimedia, Jeton Neziraj ka treguar se ishte penalizuar në festivalin “Timisoara” të Rumanisë, për shkak të komplikimit të procedurave me viza. Kjo kishte ndodhur në vitin 2018. Për ironi, në atë vit ai ishte shpallur “Evropiani i vitit” shkaku i kontributit në art e kulturë.

“Në aso kohe kemi bërë përpjekje të sigurojmë vizë Shëngen përmes Hungarisë, por edhe kjo tentativë u tregua jo shumë efikase, duke na bërë që ta anulojmë udhëtimin atje”, ka thënë ai.

Neziraj, vlerëson se janë të shumta procedurat e stërngarkuara të marrjes së vizave, e për shkak të kësaj udhëtimi i tyre i vazhdueshëm në festivale dhe marrja e ftesave në teatro të ndryshme të Evropës, i bënë artistët të heqin dorë prej aplikimit.

Mirëpo, marrja e pasaportës së Shqipërisë ka bërë që të mos kalojë më në procedura që bënte vite më parë për vizë, e që sipas tij ishte një barrë e madhe.

“Marrja e vizave ka qenë një proces denigrues, sepse grumbullimi i dokumenteve, dorëzimi tek ambasadat, pritja në rrethana të ndryshme…, procedura që tashmë nuk i kaloj, më kanë bërë të kuptoj se sa e rëndësishme është udhëtimi i lirë pa procedura administrative dhe burokratike”, ka shtuar dramaturgu.

Njësoj, edhe për piktoren Zake Prelvukaj, marrja e pasaportës së Maqedonisë i kishte ndihmuar që viza të mos e pengojë në udhëtime për ekspozitat e saj.

Prelvukajt, si mysafire e parë në Parlamentin Evropian në vitin 2004, iu kishte refuzuar viza për në Bruksel. Madje, ajo shtoi se kjo është një padrejtësi për Kosovën.

“Viza është problem kyç për artistët, e padrejtë, dekurajuese dhe devalvuese”, ka shtuar piktorja.

Edhe sportistët po penalizohen për shkak të mungesës së vizave

Edhe për Klubin e Futbollit “Mitrovica”, në vitin 2020 mungesa e vizave ishte penalizuese në një ndeshje me ekipin e St.Pölten nga Austria.

Trajneri, Hajrullah Haxhiu thotë se nuk e kishin besuar se do të kenë problem me viza, ku përpos maltretimeve me termine e me shumë kërkesa të pabaza që ata kishin përjetuar nga Ambasada Austriake në Shkup, në fund nuk u pajisën me viza futbollistet dhe stafi i klubit.

“Kemi rrezikuar të humbasim rastin për të shkuar dhe për të zhvilluar lojën, mos shkuarja në ndeshje është penalizim i madh nga UEFA edhe pse pa fajin tonë”, ka treguar ai për revistën “Intro”.

Sipas tij, fal disa futbollisteve që kanë në Kombëtaren e Shqipërisë dhe posedojnë pasaporta të Shqipërisë, kanë arritur të shkojnë në Austri me një ekip të përgjysmuar.

Haxhiu, tregon se kjo mungesë ka sjellë penalizime të mëdha, sepse për një muaj e gjysmë ishin përgatitur për këtë ndeshje, madje kishin shpenzuar edhe mjete të mëdha financiare për të rezultuar sa më të suksesshëm.

“Nuk mund të dalësh me rezultate pozitive kur udhëton me vetëm 14 futbolliste nga 22 të mundshme që ishin përgatitur për atë ndeshje dhe kur udhëton me staf të përgjysmuar”, rrëfeu trajneri i tyre.

Tutje ai shton se liberalizimi i vizave iu jep shumë mundësi futbollisteve dhe të gjithë sportistëve që të kalojnë në klube më të organizuara të Evropës dhe të kenë edhe të ardhura më të mira.

Krahas këtyre problemeve, KFF Mitrovica, katër vitet e fundit është Kampione e Kosovës në konkurrencën e femrave.

Mosliberalizimi si pengesë e promovimit

Zëvendësuesi i drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Lum Çitaku ka thënë se për shkak të procedurës së vështirë, disa artistë vendosin që të mos shkojnë në festivale ku janë të ftuar.

“Është shumë e vështirë me u kujdes edhe për aspektin e aplikimit të vizave, si institucion ne gjithmonë duhet me kërku termine për aktorët, regjisorët, për gjithë ekipin filmik”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se Kinematografia ka qenë shumë e ngulfatur në komunikim dhe shkëmbim, për shkak të mungesës së lirisë së lëvizjes. Mirëpo, sipas tij jodomosdoshmërisht veç refuzimi ose vështirësia për të caktuar termin janë probleme.

“Veç si procedurë me shumë detaje, nganjëherë pritja me viza bëhet një faktor i cili ndikon që dikush prej artistëve me vendos të heqë dorë”, shtoi Çitaku.

Filharmonia e Kosovës po ashtu kishte hasur në probleme në procedurat e vizave. Drejtori i saj, Baki Jashari ka treguar se si në një udhëtim për në Paris në vitin 2019, se tre nga 120 prej anëtarëve të grupit iu ishte refuzuar viza.

“Në këtë udhëtim nuk iu ishte pranuar viza tre pjesëmarrësëve nga Ambasada për shkak të problemeve individuale. Pavarësisht që ne shkojmë si grup, prapë dosja e secilit verifikohet”, ka thënë drejtori.

Jashari, tutje ka treguar se, është problematike çështja e vizave, sepse si me grup si individë janë procedura të gjata, të njëjta, pritje për një varg dokumentesh, të cilat gjithmonë nevojiten të përditësohen.

“Për anëtarët të cilët shkojnë të përfaqësojnë me aktivitete individuale Filharmoninë e Kosovës, ne iu japim vërtetim me kërkesë të veçantë dhe për procedurë të shpejtë, mirëpo prapëseprapë trajtohen sikur të ishin qytetarë të rëndomtë”, shtoi drejtori.

Mes tjerash, ai tregoi se si menaxherit të tyre, Dardan Selimajt viza i ishte vonuar për në Bundenstag të Gjermanisë, deri në 30 minutat e fundit para nisjes së aeroplanit.

Selimaj ishte i ftuar zyrtarisht me një grup menaxherësh të tjerë të rajonit, për të prezantuar në Gjermani sistemin e financimit të kulturës.

Gazetari i kulturës në Grupin KOHA, Shaban Maxharraj, ka treguar se në mbulimin e temave jashtë Kosovës si gazetar, ka hasur vështirësi të shpeshta, të cilat ia kanë pamundësuar të shkojë dhe të raportojë për ngjarje të rëndësishme, ku artistët tanë e kanë përfaqësuar vendin tonë.

Për shkak të procedurave të gjata, që nëntë vite si gazetar, ai ka humbur rreth dhjetë ngjarje kulturore jashtë Kosovës.

“Nuk është dekurajuese vetëm për neve, por edhe për ekipet artistike që udhëtojnë drejt Evropës, për arsye se është ndryshe kur mbulohet një ngjarje prej një gazetari që është atje në vendin e ngjarjes dhe është ndryshe kur merren prononcime nga videot e mediave të huaja”, shtoi ai.

Për të gjitha këto penalizime të vizave tek artistët dhe sportistët, sociologu Jeton Brajshori vlerëson se mungesa e vizave është shumë diskriminuese dhe dekurajuese, përderisa puna e tyre nuk shpërblehet, ngaqë kultura dhe sporti janë ambasadorët më të mirë të një shteti.

“Është një padrejtësi e madhe, ndoshta një nga rastet më të rënda që mund t’i ndodhë një shoqërie. “Ne diskriminohemi nga Bashkimi Evropian sa i përket liberalizimit të vizave”, vlerësoi Brajshori.

Kosovës i është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011. Tre vite më parë, Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Liberalizimi u votua edhe në Parlamentin Evropian, por vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.

Lajme të ngjashme