Muhaxheri reagon për vrasjen e gruas në Pejë: Duhet të qëndrojmë bashkë dhe të kërkojmë drejtësi
Kryetari i Komunës së Pejë, Gazmend Muhaxheri, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje nga burri i saj në Pejë, duke thënë se qytetin e ka kapluar një ditë e trishtë.
Ai ka thënë se duhet të kërkohet drejtësi për viktimën dhe se në shoqërinë tonë nuk ka vend për dhunë.
“Le të punojmë së bashku për një shoqëri në të cilën njerëzit jetojnë në paqe dhe kanë respekt e dashuri për njëri tjetrin.” – ka shkruar ai.
Më tej, ai ka shprehur ngushëllime për familjen dhe miqtë.
Reagimi i plotë:
Ditë e trishtë sot.
Vështirë të flitet për dhimbjen dhe trishtimin që po përjeton qyteti ynë në këtë moment të zymtë.
Në këto çaste, ne duhet të qëndrojmë bashkë dhe të kërkojmë drejtësi për viktimën. Nuk ka vend për dhunë në shoqërinë tonë, sepse dhuna është një përpjekje e dëshpëruar për të zëvendësuar autoritetin e humbur.
Le të punojmë së bashku për një shoqëri në të cilën njerëzit jetojnë në paqe dhe kanë respekt e dashuri për njëri tjetrin.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerës të kësaj ngjarjeje tragjike, Gjyljeta Ukella, e cila për dy dekada shërbeu si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.