MPB-ja serbe: Dorëzoni armët, nuk e bartni asnjë pasojë penale
Pas dy masakrave të mëdha në Serbi ku mbetën të vdekur 17 persona edhe dhjetëra të tjerë të plagosur rëndë, Ministria e Brendshme e Serbisë, ka kërkuar nga shtetasit serbë të dorëzojnë të gjitha armët e paregjistruara në stacionet më të afërta policore. Brenda periudhës 8 maj dhe 8 qershor, kjo ministri është shprehur se për të gjithë ata që i dorëzojnë nuk do të kenë asnjë pasojë ligjore, nuk do të mbahen penalisht përgjegjës si dhe nuk do të kenë nevojë të dëshmojnë origjinën e armës. Kështu ka thanë Shefja e Departmanetit për Armë në Ministrinë e Brendshme të Serbisë, Jelena Lakiçeviq.
“Ftojmë qytetarët që kanë armë të paligjshme t’i përgjigjen kësaj thirrje, të kontaktojnë stacionin më të afërt policor dhe të dorëzojnë armët për të cilat nuk kanë dokumentacion”, thuhet në komunikatën e tyre. Mes tjerash, ftesa thuhet t’i referohet të gjitha llojeve të armëve: armëve automatike, minave, eksplozivëve, pjesë të armëve dhe municionit.
Sipas një sondazhi të cituar nga Deutshce Welle, Serbia është vendi i tretë më i armatosur në botë ndërsa autoritetet serbe thonë se një matje e tillë është arbitrare. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka urdhëruar për “çarmatosje të madhe” të Serbisë.
Gjegjësisht, sipas vlerësimeve të projektit hulumtues zviceran “Small Arms Survey” nga viti 2018, Serbia renditet e treta në botë sa i përket forcave të armatosura civile – menjëherë pas Jemenit dhe SHBA-së. Ata vlerësojnë se janë 39.1 copë armë të lehta për çdo njëqind banorë.
Zyrtarët serbë mohojnë të dhëna të tilla dhe i quajnë arbitrare, dhe ekspertët vërejnë se vlerësime të ndryshme qarkullojnë për 15 vjet dhe se të dhënat e sakta është e vështirë të përcaktohen.
"Disa vlerësime sugjerojnë se ka 900,000 armë në posedim të qytetarëve dhe të paktën po aq në posedim të paligjshëm, ndërsa të tjera madje tregojnë se ka tre herë më shumë armë të paligjshme," , tha për DW Predrag Petkoviq, drejtor i kërkimit në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë.
“Sipas të dhënave zyrtare të MPB-së të dy viteve më parë, në Serbi ka pasur 920.000 armë, ndërsa në ndërkohë janë kthyer 50-60.000 armë”, shton Petroviq.