Mospajtimet, injorimi dhe në fund dorëheqja: Romanca Kurti – Krasta megjithatë përfundoi keq - NACIONALE

Mospajtimet, injorimi dhe në fund dorëheqja: Romanca Kurti – Krasta megjithatë përfundoi keq

1 vit më parë

nga NACIONALE

Nga dje Adi Krasta nuk është më zëvendës drejtor i Radio Televizionit të Kosovës. Me këtë duket se ka mbaruar edhe “romanca” e Krastës me Kryeministrin Kurti. Siç mëson Gazeta Nacionale ata nuk u pajtuan për buxhetin e as pronën e RTK-së. Krasta kërkonte më shumë, Kurti ishte kundër. Së fundmi s’u pajtuan as për dorëheqjen. Kurti kërkonte që Krasta të qëndronte në pozitë së paku deri në fund të zgjedhjeve, Krasta nuk pranoi.

Çka ndodhi?

Bordi i RTK-së këtë të hënë e pranoi dorëheqjen e Adi Krastës nga pozita e zëvendësdrejtorit të Radio Televizionit të Kosovës.

Dorëheqjen Krasta e konfirmoi ditë më parë, saktësisht në natën finale të Festivalit të Këngës të cilin e organizoi i njejti.

Me të mbaruar Festivali, Kurti shkroi pikërisht për të, madje gjërë e gjatë. Në rrjetin e tij social “Instagram”, ai tha pothuajse gjithçka për Festivalin, përmendi emra, por pa e zënë në gojë fare organizatorin Krasta.

“Urime për një tjetër edicion impozant të Festivalit të Këngës në RTK, i cili po vazhdon traditën e nisur nga “Akordet e Kosovës” në shekullin 20-të” – shkroi ndër të tjera Kurti.

Pas kësaj ai përmendi me emra e falënderoi, pjesëmarrësit, fituesit e madje edhe anëtarët e jurisë si, “Minire Fetahun, Jane Sugerman, Ardianë Pajazitin, Valbona Selimllarin e Blerta Zeqirin.

Pra, Kurti në postimin e tij përmendi më shumë se 10 (dhjetë) emra, por askund Adi Krastën.

Çka ndodhi në mbledhjen e bordit?

Në mbledhjen e mbajtur këtë të martë Nacionale ka mësuar se aty është propozuar që Hysen Hundozi të bëhet Ushtrues Detyre i Drejtorit të RTK-së, por që votimi ka dështuar. Mbledhja ka përfunduar pa u caktuar ushtruesi.

Ndërkohë, të hënën me 6 vota “kundër” e 3 “abstenime” Bordi i RTK-së ka vendosur që të mos hapen zarfet e kandidatëve për Drejtor të Përgjithshëm, sipas rekomandimit të Zyrës Ligjore, aty u tha se janë tejkaluar afatet ligjore. Aty pra u pranua dorëheqja e Adi Krastës si zëvendësdrejtor i RTK-së.

Sa i përket Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit Bordi qëndron në atë se sot nuk kanë mundur t’a caktojnë askënd në këtë pozitë.

Bordi po diskuton që nesër të caktohen një mbledhje tjetër, ku pritet të merret vendimi për caktimin e ushtruesit të detyrës së Drejtorit.

Flutura Kusari e cila po e monitoron këtë proces ka njoftuar për këto zhvillime.

“Sapo dola nga mbledhja e bordit të RTK-së. Konkursi për drejtor gjeneral të RTK-së dështoi. Nuk u diskutua rishpallja e konkursit ndërsa u tha që bordi ka nevojë për kohë shtesë për caktimin e u.d drejtorit gjeneral. Bordi njoftoi që Adi Krasta ka dhënë dorëheqje.” – ka shkruar Kusari.

Pra, në kushtet aktuale RTK-ja nuk ka as Drejtor të përgjithshëm, as ushtrues detyre e as zëvendësdrejtor. Por e ka drejtor të televizionit veglën e pushtetit Rilind Gërvalla, i cili e urdhëroi lajmin e rremë kundër Nacionales. Lajm ky që u gjet se ishte shkelje, nga të gjitha instancat që monitorojnë e vendosin për mediat në vend.

Lajme të ngjashme