Mosorganizmi i Provimit të Jurisprudencës, IKD: Ministria e Drejtësisë shkeli ligjin
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e ka akuzuar Ministrinë e Drejtësisë se ka shkelur Ligjin për Provimin e Jurisprudencës.
Përmes një reagimi, IKD ka bërë me dije se në këtë mënyrë ministrja ka cenuar të drejtat e kandidatëve duke mos e organizuar mbajtjen e këtij provimi.
Derisa ligji përcakton që provimi i jurisprudencës të organizohet nga Ministria tri herë brenda një viti kalendarik, IKD ka bërë me dije se vitin e kaluar Ministria e Drejtësisë ka organizuar vetëm afatin e prillit.
“Gjatë gjithë vitit 2025, MD ka organizuar vetëm këtë afat të provimit, duke mos përmbushur detyrimin ligjor për organizimin e tij në tri afate brenda vitit kalendarik. Në këtë mënyrë, deri më tani, janë të paktën dy (2), e potencialisht edhe tri (3), afate gjatë të cilave Ministria e Drejtësisë ka qenë e obliguar të organizojë Provimin e Jurisprudencës, por që nuk i ka realizuar”, është thënë në reagim.
Sipas IKD-së kjo përveçse është shkelje e ligjit cenon edhe të drejtat e kandidatëve.
“Përtej shkeljes së ligjit, kjo situatë cenon të drejtën në karrierë të juristëve të rinj, të cilët kanë pritje legjitime që procesi i Provimit të Jurisprudencës të organizohet në përputhje me afatet ligjore. Në rrethanat aktuale, kandidatët nuk kanë mundësi t’i nënshtrohen këtij procesi, duke u pamundësuar avancimi në karrierë dhe, potencialisht, duke u humbur atyre mundësi konkrete punësimi dhe zhvillimi profesional”, ka vlerësuar IKD.