Mosliberalizimi i vizave dëshpëron kosovarët, ftohet protestë kundër BE-së
Samiti e BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor ka përfunduar ditën e parë. E pas saj, ka nxjerrë edhe përfundimet e Samitit, e ku nuk përmendet liberalizimi i vizave për Kosovën. Një gjë e tillë ka nxitur shumë reagime në shtetin kosovar.
Madje, analisti Gazmir Raci ka ftuar të protestohet kundër këtij qëndrimi të BE-së.
“A jeni që nesër ne Prishtine në ora 12:00 të:
#marshojmeperliritelevizjes”, ka shkruar Rraci.

Ndërsa, njohësi i integrimeve evropiane, Vigan Qorrolli, ka kritikuar mos gjetjen e një gjuhë të përbashkët të anëtarëve të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave ndaj Kosovës.
Ai ka shkruar se nuk do të ketë liberalizim të vizave.
Ndërsa profesori i filozofisë, Blerim Latifi, është treguar i ashpër ndaj politikave të Bashkimit Evropian.
Latifi ka thënë se në ditën kur Britania e Madhe vendosi të dalë nga Bashkimi Evropian, është dita kur ka vdekur procesi i zgjerimit të tij me anëtarë të rinj.
Kritikën me të ashpër sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën Latifi e pati për Francën. Ai ka tërhequr një paralale në qasjen e presidentit Macron ndaj kundërshtares së tij politike, Le Pen, duke thënë se me një qasje proserbe, Macron çdo ditë e më shumë po i ngjanë politikanes ekstremiste fraceze.
“Në anën tjetër Kosovës nuk i liberalizohen vizat sepse pesë vende të BE-së nuk e njohin pavarësinë e saj dhe Franca nën Macronin i është rikthyer linjës së dikurshme të politikës proserbe. Duke u munduar të ndalojë rritjen politike të ekstremistes Marinë Le Pen, Macron përditë e më shumë po i ngjanë asaj sa i përket qëndrimeve mbi çështjet ballkanike” shkroi Latifi.

Kurse avokati Arianit Koci, tha se sot përfundimisht e kuptuam që nuk do të ketë liberalizim të vizave edhe së paku pesë vite.
Koci listoi një mori arsyesh prerë këtë pohim. Ai zvarritjen që po i bëhet Kosovës në këtë aspekt e lidhi me kontestet mes Kosovës dhe Serbisë dukë thënë se tema e liberalizimit po përdoret si ‘karrem’ për të bërë lëshime ndaj Serbisë.
“Pse po munden!
Liberalizimi vazhdimisht po përdorët si karem për t’i bërë lëshime Serbisë.
Bashkimi Evropian nuk është partner e as ndërmjetësues serioz.
Prandaj, duhet ndërprerë menjëherë çdo aktivitet ku ata janë ndërmjetësues.
Asnjë marrëveshje me Serbinë, nuk mund të jetë e dobishme, me ndërmjetësues të tillë.
Asnjë!”, shkroi ndër të tjera Koci.

Ndër reagimet me të veçanta ka qenë ajo e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pjesëmarrës në këtë samit, i cili tha se Shqipëria do të vazhdojë rrugëtimin me shpresën se shekullin tjetër do anëtarësohet në BE.
Në anën tjetër, Rama, me tone të ashpra u ndal edhe të padrejtësia që po i bëhet Kosovës me mos liberalizimin e vizave tash e një dekade që kur filloi procesi.
“Qytetarët e Kosovës po mbahen peng, nën diktaturën jugosllave udhëtonin kudo”, tha ai.
Ndryshe, në një përgjigje për gazetën Nacionale, qeveria franceze ka ripërsëritur qëndrimin e saj, duke nënkuptuar se nuk i bëhet vonë të lëshojë pe për liberalizim të vizave.
“Mos plotësimi i kriterëve” mbetet arsyetimi absurd i këtij shteti nga BE-ja në 2012.
Gjatë këtij samiti dy-ditor në Bruksel, udhëheqësit e BE-së i kanë dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e kandidatit. Të dy vendet kishin aplikuar për anëtarësim në javët pasi Rusia pushtoi Ukrainën.
Siç pritej nga shumë njohës të politikës ndërkombëtare, përsëri nuk pati rezultate të rëndësishme në samitin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Zhgënjimi kryesorë mbetet bllokimi i çeljes së negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, dhe mos liberalizimi i vizave për Kosovën ndonëse janë plotësuar të gjitha kriteret e vendosura.
Refuzimi për të filluar bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut vazhdon të mbetet pas vetos bullgare duke e ndaluar këto vende të ecin përpara në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.