Mosemërimi i anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ, PDK: Presidentja e shkeli Kushtetutën - NACIONALE

Mosemërimi i anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ, PDK: Presidentja e shkeli Kushtetutën

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës i ka reaguar presidentes Vjosa Osmani, e cila nuk ia ka emëruar kësaj partie anëtarin e dytë në KQZ.

Ashtu siç ka raportuar dje gazeta Nacionale, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka bërë me dije se vendim i fundit i presidentes Osmani është në kundërshtim më Kushtetutën e Kosovës dhe praktiken e mëhershme.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se ky veprim i presidentes cenon demokracinë dhe zgjedhjet në vend.

Vendimi fundit i presidentes Osmani për mos emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ është cenim i Kushtetutshmërisë, demokracisë dhe zgjedhjeve në Republikën e Kosovës”, ka thënë Gjoshi.

Me këtë veprim, sipas Gjoshit, presidentja nuk e ka respektuar as praktiken e saj të vitit 2021.

Pra, Kushtetuta e Kosovës është e qartë: së pari, sigurohet përfaqësimi proporcional i subjekteve më të mëdha parlamentare. Dhe së dyti, meqenëse pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kuvend janë vetëm 4 grupe parlamentare shqiptare, pra në mungesë të numrit të mjaftueshëm prej 6 grupeve, anëtarët shtesë emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare, që në këtë rast janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Ai ka paralajmëruar se kjo parti do t`i përdor të gjitha mekanizmat për të kërkuar të drejtën e saj.

Partia Demokratike e Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet e ligjshme në kërkim të zbatimit të së drejtës së saj për t’u përfaqësuar në KQZ, sipas të drejtës që ia ka dhënë Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, është shprehur Gjoshi.

Më tej, ai ka rikujtuar rastin e ngjashëm kur presidentja Osmani në vitin 2021 ia kishte emëruar PDK-së dy anëtar në KQZ.

Në vitin e parë të mandatit të saj, Osmani ishte përpjekur për të gjetur ndonjë mundësi që të çojë përpara kërkesën kundërkushtetuese të Lëvizjes Vetëvendosje për emërimin e anëtarit të 3-të në KQZ. Por pas refuzimit të trajtimit thelbësor të çështjes nga Gjykata Kushtetuese, ajo nuk kishte guxuar të aprovonte këtë kërkesë, e cila qartazi binte ndesh me frymën dhe shkronjën e Kushtetutës dhe do të përbënte një precedent të rrezikshëm për kapjen politike të institucionit të zgjedhjeve”, ka deklaruar ai, duke shprehur shqetësimin e tij se cka mund të bëj Albulena Haxhiu, nëse do të vije si u.d. e presidentes.

Sipas tij, Albulena Haxhiu mund të vendosë në mënyrë arbitrare që PDK-së të mos i takojë e drejta për përfaqësim në KQZ me dy anëtarë.

Një person me bagazh të madh antikushtetues dhe antiligjor, e cila sigurisht se është e gatshme për kapitalizimin e shkeljes së radhës të Kushetutës së Kosovës dhe të vendosë në mënyrë arbitrare që PDK-së të mos i takojë e drejta për përfaqësim në KQZ me dy anëtarë, duke na detyruar kështu që t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, e cila deri sa do ta trajtonte juridikisht çështjen, Lëvizja Vetëvendosje praktikisht do të bënte një mori shkeljesh dhe abuzimesh në organizimin e zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, ai ka bërë me dije Lëvizjes Vetëvendosje po i krijohen mundësitë që në proceset zgjedhore pasuese t’i shkelë ligjet dhe rregullat zgjedhore.

Të gjithë jemi dëshmitarë të paligjshmërisë që është nxitur nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit, 12 tetorit dhe 28 dhjetorit të vitit 2025, andaj kësaj partie po i krijohen rrethanat që në zgjedhjet e radhës t’i shkelë ligjet dhe rregullat zgjedhore, duke nxjerrë vendime që do të shkatërrojnë procesin zgjedhor dhe të sjellë situata kur nuk do të pranohen rezultatet e zgjedhjeve. Në këtë drejtim, mjafton të kujtohet rasti kur përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ ka kërcënuar publikisht (para mediave) anëtarët e KQZ-së dhe me emër të përveçëm anëtaren nga radhët e komunitetit turk vetëm pse kishin mbështetur amandamentin e përfaqësuesve të PDK-së për të buxhetuar dërgimin e fletëvotimeve origjinale për votuesit jashtë Kosovës, ashtu siç parashihet me aktin nënligjor të KQZ-së për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës”, është shprehur ai.

Një ditë me parë, gazeta Nacionale ka raportuar për këtë veprim të çuditshëm të presidentes.

Një ditë me parë, gazeta Nacionale ka raportuar për këtë veprim të çuditshëm të presidentes.

Nacionale dje ka mësuar se presidentja Osmani ka nxjerrë dekretet për emërimin e 9 nga 10 anëtarët e KQZ-së, të cilët përfaqësojnë subjektet politike parlamentare.

Nga burimet e veta gazeta ka mësuar se Osmani ka emëruar 2 nga 3 propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje (Alban Krasniqin dhe Violeta Salihun) dhe vetëm 1 nga 2 propozimet e Partisë Demokratike të Kosovës (Ilir Gashin).

I propozuari i dytë i PDK-së, ishte ish-deputeti Rashit Qalaj, nuk është emëruar nga presidentja.

I njëjti burim i ka treguar gazetës se anëtarët tjerë të emëruar janë Sami Hamiti (LDK), Muharrem Nitaj (AAK), Stefan Filipoviq (LS), Mufera Sinik (KDTP), Delvir Tairi (KV) dhe Shukrije Stoall (PSA).

Betimi i këtyre 9 anëtarëve të KQZ-së do të bëhet më 27 mars 2026, në orën 11:00.

Lajme të ngjashme