"Moscertifikimi" i Listës Serbe, ShBA: Jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të KQZ-së - NACIONALE

"Moscertifikimi" i Listës Serbe, ShBA: Jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të KQZ-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim lidhur me dështimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të certifikuar kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet e planifikuara më 9 shkurt.

Në një përgjigje të dhënë për Reporterin, Ambasada e ShBA-së në Kosovë theksoi shqetësimin "me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor."

“Jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të mos certifikuar kandidatët e Listës Srpska. Veprimet e KQZ-së rreptësisht duhet të kufizohen në zbatimin e standaredeve dhe procedurave ligjore dhe çdo vendim për moskualifikimin e kandidatëve duhet të bazohet vetëm në zbatim të barabartë të ligjit. Procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politik”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.

Ambasada u ShBA-së u shpreh gjithashtu e shqetësuar për përfshirjen e kritereve të motivuara politikisht në procesin e vendimmarrjes së KQZ-së për certifikimin e kandidatëve.

“Ne jemi të shqetësuar nga përfshirja e hapur e kritereve të motivuara politikisht në procesin e certifikimit të kandidatëve në KQZ. Veprime të tilla dëmtojnë parimet themelore demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, meqenëse ia çelin derën ndikimit subjektiv politik mbi procesin zgjedhor”, thuhet më tej në reagim.

Në reagim u theksua më tej se "të gjithë kandidatët që kualifikohen duhet të lejohen të garojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me ligjin kosovar."

Kujtojmë se Lista Serbe nuk arriti të certifikohet në Komisionin Qendror Zgjedhor, ka raportuar Ekonomia Online – ndërsa shkaku për këtë u raportua të kenë qenë thirrjet nacionalist të kryetarit të Listës Serbe, Zlatan Elek.

Çka thuhet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme?

Anipse Arlind Manxhuka, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje e jep për fakt të kryer mosçertifikimin e Listës Serbe, duke shkruar: “Me propozim dhe kërkesë të anëtarëve Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, përfaqësuesit e LV, që votuan dhe kundër certifikimit, në KQZ Lista serbe nuk certifikohet si subjekt për zgjedhjet parlamentare 2025. Përfaqësuesit e PDK dhe LDK nuk morën pjesë në votim.”.

Në nenin 17 të këtij Ligji, thuhet se “Zyra shqyrton të gjitha aplikimet për certifikim dhe nëse përcakton se subjekti politik nuk ka plotësuar të gjitha kërkesat e përcaktuara në nenin 16 të këtij ligji, atëherë Zyra brenda dhjetë (10) ditëve pas pranimit të aplikimit për certifikim dërgon një njoftim me të cilin e informon subjektin politik për arsyen ose arsyet pse aplikimi i tij nuk është i mjaftueshëm.”

Pra, hapi i rradhës është njoftimi i Listës Serbe se përse aplikimi i tyre nuk është i mjaftueshëm.

Tjetra, “ Aplikuesi i cili pranon njoftimin sipas paragrafit 5 të nenit 13 të këtij ligji, ka afat pesë (5) ditë pune për të dorëzuar aplikimin e korrigjuar apo një shpjegim që adreson brengat e identifikuara në njoftim”

Pra, ekziston një afat për përgjigje nga Lista Serbe në këtë rast.

Pas këtij hapi Zyra i bënë një rekomandim me shkrim KQZ-së brenda 5 ditëve, pasi ta ketë parë dokumentacionin e plotë. “Pas pranimit të rekomandimit nga Zyra, KQZ-ja e miraton ose refuzon aplikimin për certifikim brenda shtatë (7) ditëve.” – thuhet tutje aty.

Nëse të gjitha këto hapa kalohen atëherë në nenin 17 rregullohet ajo që rregullohet me secilin ligj, e me Kushtetutën e Kosovës. Dyshkallshmëria.

Në këtë rast shkalla e dytë ëshë PZAP e cila duhet të vendos brenda 48 orëve, pasi të ketë kryer punë KQZ.

Pas vendimit të KQZ-së, Zyra e njofton menjëherë aplikuesin me shkrim rreth statusit të aplikimit dhe në rast të refuzimit, ofron arsyetimin për refuzim dhe e këshillon aplikuesin për të drejtën e tij për t’u ankuar në PZAP brenda dyzet e tetë (48) orëve. PZAP vendos për ankesën brenda dyze e tetë (48) orëve nga pranimi i saj.” – thuhet në ligj.

Ndërkohë nga PDK në KQZ kanë përmendur faktin se Lista Serbe ka kaluar filtrat e MPB-së dhe MPJ-së, andaj deri në një sqarim të plotë PDK abstenon.

Lajme të ngjashme