Mos e lexo këtë shkrim—Është për politikë - NACIONALE

Mos e lexo këtë shkrim—Është për politikë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Leart A J V A Z A J

Ligat më të mëdha të futbollit po hynë në fazën finale ku do të përcaktohen garat për titujt më prestigjiozë në Evropë. Metal bendi Suedez Ghost lansoi albumin e tyre të ri këtë muaj. Vetëm në Mars në Netflix u shfaqën mbi 28 seriale të reja. Përkundër këtij oqeani me sport, muzike dhe film, politika mbetet argëtimi primar i kosovarëve. Çdo natë, në kanale televizive, gazeta, Facebook e Twitter diskutimi politik kapë për fyti njerëzit dhe i fut në koloseumin e gladiatorëve—herë si spektatorë, e shpesh si pjesë të dyluftimit.

Diskutimi për konsumimin e politikës nga masat është thuajse aq i vjetër sa diskutimi mbi vet politikën. Megjithëkëtë, vetëm së fundmi mund të thuhet se ky konsum ka arritur përmasa që lejojnë karakterizimin e natyrës së tij. Pyetja është e thjeshtë: Pjesëmarrja politike fisnikëron apo prish?

Një nga mendimtarët më të mëdhenj të liberalizmit klasik, John Stuart Mill, kishte hamendësuar se pjesëmarrja politike do të kishte efekt pozitiv në njeriun e zakonshëm. Ai besonte se përfshirja në politikë do shtynte njerëzit të mendojnë më shumë për të mirën e përbashkët, do i bënte ata më të edukuar dhe do t’i fisnikëronte. Kur kemi parasysh rrethanat në të cilat shkruante Mill–një kohë ku nuk ekzistonin qeveritë përfaqësuese siç i njohim sot – konkluzioni i tij ndoshta është intuitiv. Për fatin tonë të keq, e vërteta duket se është në anën e kundërt të filozofit britanik. Kur njeriu futet në domenin e diskutimit politik, ai bie në një nivel më të ulët të aftësive të arsyetimit. Gjykimi mbi integritetin intelektual, moral dhe qëllimet e tjetrit shndërrohet në një funksion me një ndryshore: rreshtimin politik.

Ndonëse bindjet politike nganjëherë janë produkt i parimeve thelbësore morale që manifestohen në ideologji, diskrepanca potenciale në këto parime nuk shpjegon dot përçarjen mes taboreve. Në fakt, është e qartë se rreshtimi fillestar në shumicën e kohës nuk është rezultat i bindjeve ideologjike. Madje nëse dështoj ta marr parasysh këshillën time, do të flas një herë tjetër për instrumentalizimin e ideologjisë nga të gjitha anët e spektrit politik. Është e qartë se preokupimi i qytetarit mesatar me politikë nuk është produkt i diskutimeve ideologjike të filozofisë politike, por pasojë e absolutizimit të rolit të saj nga ne si shoqëri dhe sistemit politik demokratik.

Ky mbivlerësim i rolit të politikës ka dy rrjedhime kryesore: i pari sugjeron një paaftësi të qytetarit për t’i bërë ballë makinerisë politike kurse i dyti thotë se qytetari duhet ta shtojë interesimin për politikë pasi që kjo është përcaktuese e fatit të tij. Nuk ka shumë rëndësi vërtetësia e premisës mbi të cilën ngriten këto konkluzione. E rëndësishme është që edhe nëse subjektiviteti ynë nuk mund t’i rezistojë zhvillimeve politike, në terma ekonomik kjo është kosto e fundosur. Pra, diskutimi i mëtejshëm për cicërimën e Besnik Bislimit, deklaratën e Duda Baljes, lidhjen e Abdixhikut, e cilindo zhvillim tjetër është zakonisht vetëm humbje kohe pa ndonjë rezultat pozitiv për ne si individë. Në fakt, kjo që cilësohet nga teoricienët si demokraci diskutimore ku qytetarët në anë të argumentimit dhe logjikës formale diskutojnë për të mirën e shoqërisë është po aq larg realitetit sa politikanët janë larg objektivitetit. Në thuajse çdo nivel, diskutimi politik nuk zhvillohet në argumente, por në retorikë. E retorika në mungesë të sinqeritetit dhe arsyes nuk fisnikëron, por vetëm korrupton qytetarin.

Nëse pranojmë këtë argument kundër pjesëmarrjes politike, pyetja është se çka duhet të bëjmë si shoqëri për këtë gjë? Zgjidhja nuk është aq e thjeshtë sa do të doja. Pasi sistemi demokratik varet nga pjesëmarrja jonë, por optimizmi i veprimit tonë është mos-pjesëmarrja politike kemi se demokracia në vetvete funksionon vetëm kur shoqëria nuk punon me të mirën e saj në mendje. Kjo implikon se ekuilibri që arrihet kur secili qytetar kërkon të mirën personale e shkatërron vetë sistemin në të cilin arrihet ky ekuilibër. Pra, duhet ri-menduar demokracinë. Pasi ri-mendimi i demokracisë do të thoshte pjesëmarrje politike, unë po ju sugjeroj këtë alternativë: në vend të debateve politike shikoni filma, e në vend të shkrimeve si ky i imi, lexoni libra.

Lajme të ngjashme