Mohuesit e Reçakut — autorë, reporterë e ministra - NACIONALE

Mohuesit e Reçakut — autorë, reporterë e ministra

1 vit më parë

nga NACIONALE

26-vjetori i masakrës së Reçakut vjen me kujtime e evokime diplomatësh e zyrtarësh që bënë çmos për zbardhjen e së vërtetës. Prej William Walkerit, James Pardewit e deri te finlandezja Helena Ranta, Reçaku u cilësua si masakër gjenocidale dhe shenjë e qartë se Millosheviqi e kishte ndarë mendjen të spastronte etnikisht Kosovën. Megjithëse përvjetorët e Reçakut shënohen nga viti në vit, mungesa e një perspektive të plotë shqiptare, me studime, dokumentime e dëshmi të tjera, po i lë vend edhe një procesi të paskrupullt mohimesh e relativizimesh nga Serbia. I nisur qysh para 26 vitesh, mohimi ka pasur për protagonistë edhe gazetarë kontroversë të huaj, si amerikani William Blum apo francezi Renaud Girard, madje edhe një ministër serb në Qeverinë e Kosovës i cili e pati quajtur si ‘trillim’. Në mediat serbe sot e gjithë ditën çdo përmendje e masakrës së Reçakut bashkëshoqërohet me përdorimin e mbiemrave ‘takozvani’ (e ashtuquajtur) dhe ‘navodni’ (gjoja), me të cilët mohohet krimi i rëndë.

Shkruan: Col Mehmeti

Poeti kroat i lartësive, Antun Gustav Matoš, në një poezi i kërkonte të njohurve e dashamirëve të tij që të mos e kujtonin atë me një pllakë mermeri. “Ju ndaloj që mbi varrin tim të ngritni ironi të akullt prej mermeri”, ishte një nga vargjet me vibrancë ndjenjësore.
Sot kur ploja e Reçakut i mbush 26 vjet, kujtimi e përkujtimi i saj, paradoksalisht, e burgos atë njësoj si mermeri i akullt që aq shumë e plogështonte moralisht Matošin. Jetojmë në një botë harrestare ku, tekembramja, dhimbja e trishtimi ndjehen veç tek ata që e kanë provuar në lëkurë, te familjarët zemërpërvëluar dhe te ai numër i paktë i shqiptarëve që janë të paaftë për të harrruar.

Walker: ‘Reçaku ndezi përpjekjet për të gjetur zgjidhje paqësore’

Duke evokuar ato javë të paharrueshme të janarit të 1999-s, diplomati amerikan William Walker – asohere drejtues i Misionit Verifikues të OSBE-së për Kosovën – ka shkruar se masakra e Reçakut është një nga ato ngjarjet me ndikim të pakrahasueshëm në gjithçka pasoi më vonë. Sipas tij, ajo masakër nuk ishte as e para, as e fundit në Kosovë, madje as më e madhja apo më brutalja.

“Ajo që ndodhi në Reçak pasoi vite të tëra në të cilat vrasjet e pamëshirshme të civilëve që i përkisnin komunitetit ‘të gabuar’ etnik, që flisnin gjuhën ‘e gabuar’, ishin kthyer në një normë të zakonshme si mjet lufte”, shkruan Walker në librin e tij “Reçak: historia e një krimi lufte” që u përurua të martën në Prishtinë.

Kjo masakër, në të cilën u ekzekutuan dyzet e pesë shqiptarë, sipas tij, “u kthye në një pikë historike kthese, sepse ofroi prova të qarta të asaj që Millosheviqi do të bënte nëse do t’i jepej liri e mëtejshme veprimi”.

“Ekspozimi i madh mediatik botëror ndaj kësaj masakre të vetme u bë shkëndija që ndezi përpjekjet amerikane, evropiane dhe ruse për të gjetur një zgjidhje paësore, duke çuar kështu në konferencën e Rambujesë”, shkruan ndër të tjerash Walker.

Beteja mes mjekoligjorësh

Dromca kujtimesh për këtë masakër ka edhe Helena Ranta, doktoresha finlandeze e forenzikës, e cila në krye të një ekipi mjekoligjorësh të ngarkuar nga Bashkimi Evropian, kreu autopsinë e kufomave të shqiptarëve të masakruar në Reçak. Në ditët që pasuan 15 janarin kishte pasuar një betejë mes mjekësh ligjorë.

Policia serbe i kishte marrë forcërisht trupat e të vrarëve nga xhamia e Reçakut për në spitalin e Prishtinës, të cilët iu nënshtruan gjoja një autopsie nga një ekip patologësh jugosllavë. Në mesin e tyre ishin përfshirë qëllimisht edhe patologë bjellorusë ashtu që ekipi të dukej sikur kishte përbërje ndërkombëtare. Ky proces, nën mbikëqyrjen e qeverisë jugosllave, fabrikoi një raport ku gjoja të vrarët nuk ishin civilë, por guerilë të armatosur.

Megjithatë, gjetjet e ekipit të Helena Rantas e përgënjështruan këtë raportim, duke provuar që vrasjet në Reçak përfaqësonin vrasje të civilëve të paarmatosur. Presidenti i asokohshëm amerikan, Bill Clinton, e pati dënuar masakrën si një akt të qëllimshëm vrasjesh. Por, kjo nuk i dha fund Reçakut. Raporti i ekipit jugosllavo-bjellorus u bë prologu i një mohimi (denialism) dhe relativizimi të vazhdueshëm të masakrës.

Fillimi i mohimit

Nga një kundrim i thjeshtë në serbisht përmes makinave të kërkimit, del që narracioni serb togfjalëshit ‘masakër e Reçakut’ ua shton me kast edhe mbiemrat ‘takozvani’ (e ashtuquajtur) dhe ‘navodni’ (gjoja). Kjo e ka konstruktuar bindjen e gjithështrirë midis serbësh se Reçaku paska qenë një skenar sa për t’u bërë shkas që NATO të fillonte fushatën e saj ajrore kundër Jugosllavisë.

Kjo frymë mohuese ishte përhapur edhe nga ndonjë gazetar si francezi Renaud Girard me storie skandaloze në Le Monde e Le Figaro, se gjoja UÇK-ja e kishte përgatitur skenën e masakrës duke mbledhur trupa të të vrarëve.

Këtë hulli e pati ndjekur edhe autori dhe gazetari kundërthënës amerikan, William Blum, në disa prej librave të tij ku kritikon ndërhyrjet amerikane. Kjo paskrupullësi kishte bërë për vete edhe ish-ministrin serb të Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq. Në mars të 2019-s, ai kishte pasur guximin që masakrën e Reçakut ta quante trillim. “Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha...”, kishte deklaruar ndër të tjerash Todosijeviq.

Pardew: “Walkeri ishte në kategorinë e heroit”

Në të vërtetë, diplomatët amerikanë kishin qenë të parët që alarmuan botën për masakrën e Reçakut. Njëri prej tyre ishte edhe James W. Pardewi, i cili kishte qenë koordinatori në Washington i Misionit Verifikues të OSBE-së për Kosovën. Duke i ndërmendur këto ngjarje, ai kishte thënë se deklaratat e guxmshme të Walkerit sikur kishin shkaktuar ca siklet te disa zyrtarë evropianë.

Sipas Pardewit, “Reçaku vërtet ishte masakër. Walker kishte fotografi; unë i kisha parë ato; ato ishin bindëse kur gërshetoheshin me dëshmi të tjera. Walkeri e quajti ashtu siç ishte. Ai veproi sipas bindjes personale. Plot njerëz u pezmatuan nga deklarimi i Walkerit sepse Reçaku në fund çoi në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. Por mua nuk më pezmatoi. Unë sinqerisht e vë Walkerin në kategorinë e heroit”, kishte deklaruar Pardew.

Beteja në Beograd

Në ditët që pasuan paralajmërimin e Walkerit, OSBE-ja kërkoi të dërgonte një ekip forenzik që ta hetonte rastin, porse zyrtarëve të saj iu refuzuan vizat nga Beogradi. Më 19 janar, Louise Arbourit, kryetare e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), iu mohua vizita në Reçak. Sado që kishte mbetur në Kosovë, edhe Walkeri ishte shpallur nga autoritetet jugosllave si persona non grata.

Ndërkohë, Pardewi ishte nisur në Beograd për të folur me Millosheviqin mbi gjendjen në Kosovë, takim që ishte mbajtur më 21 janar. Në këtë përballje sy-me-sy, Millosheviqi nuk e kishte fshehur tërbimin e tij ndaj Walkerit, madje duke e quajtur edhe ‘të marrë’. Pardewi i ishte përgjigjur atij, “Po, ai është i marri ynë, por ne besojmë që ai është korrekt sa i përket Reçakut.”

Millosheviqi as nuk donte t’ia dinte për këto, mohonte gjithçkajen dhe sajonte gjithfarë gënjeshtrash për vrasjet në Reçak. Takimit i ishte bashkuar edhe Christopher Hilli dhe Milan Milutinoviqi, me ç’rast udhëheqësit serb iu kërkua të ndalonte fillimin e një sulmi të plotë mbi Kosovën. Sidoqoftë, Pardewi doli nga takimi me përshtypjen se Millosheviqi kishte humbur dëshirën për të negociuar.

Sipas diplomatit amerikan, masakra e Reçakut e bëri të qartë se Misioni Verifikues i OSBE-së për Kosovën nuk po funksiononte më. Pamundësia e tij për të frenuar dhunën e vinte në pah nevojën për diplomaci më të gjallë e qasje më të fortë. “Po bëhej e qartë se kërkohej ndërhyrja e NATO-s”, kishte kujtuar Pardew, të cilin e citon David L. Phillips në librin e tij Liberating Kosovo: Coercive Diplomacy and U. S. Intervention.

Lajme të ngjashme