Mocioni, dorëheqja, numrat: Opozita e vogël me shumë mendime se si të rrëzohet Kurti - NACIONALE

Mocioni, dorëheqja, numrat: Opozita e vogël me shumë mendime se si të rrëzohet Kurti

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Që një kohë, në opinionin publik së paku, është folur e stërfolur në lidhje me mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. Megjithatë, deri më tani, ende asgjë konkrete. Së fundmi, opozita, përveç mocionit, e ka shtruar edhe kërkesën për dorehëqjen e kryeministrit Albin Kurtit. Ndërsa LDK-ja, partia numër dy në opozitë, e ka pranuar publikisht se nuk ekzistojnë numrat për ta rrëzuar Qeverinë Kurti. Si është gjendja në opozitë?

Ideja për mocion mosbesimi kundër Qeverisë Kurti po qarkullonë që nga fundi i majit të këtij viti, kur Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, doli me këtë ide pas tensioneve në veri të Kosovës.

“Qëndrimi i Aleancës është që të iniciohet mocion mosbesimi për Kryeministrin Kurti. Mocioni bazohet në dy zhvillimet e fundit, i pari është rrezikimi i sovranitet dhe i sigurisë në veri dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me ShBA dhe BE. Do të fillojmë diskutimet me spektrin politik me shoqërinë në përgjithësi. Besoj që mocioni është zgjidhje për këtë situata të krijuar.” – thoshte atëkohë Haradinaj.

Por që atëherë asgjë nuk ka ngjarë në praktikë. Përveç fjalëve e bisedave, ideja e Haradinajt nuk ka prodhuar ndonjë efekt në terrenin politike, pasi Qeveria Kurti ende nuk është përballur me mocionin e mosbesimit.

Në diskursin e Haradinajt, krahas mocionit, ka hyrë edhe kërkesa për dorëheqjen e Kurtit.

“Situata e krijuar pas dështimit të djeshëm në Bruksel, me tendencë të thellimit të krizës, me pasoja të rënda për popullin e Kosovës, kërkojnë reflektim urgjent nga Kurti dhe qeveria e tij.

Ai duhet të dorëhiqet dhe ta kthejë mandatin te populli. Këtë veprim duhet ta bëjë edhe nëse ai mendon se është në rrugë të drejtë.” – shkroi dje Haradinaj.

Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, që një kohë po e kërkon dorëheqjen e Kurtit, duke i kërkuar të matet në zgjedhje të reja parlamentare.

“Këtë vit unë besoj se duhet të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme. A është dhjetori a është tetori, është relevante, sa më herët është më mirë. Unë besoj që s’duhet me u frikësu prej zgjedhjeve. Nëse Qeveria, nëse kryeministri Kurti beson që ka bo punë të mirë, beson që ka mbështetje, hajde dalim në zgjedhje dhe shikoje a po të besojnë njerëzit njëjtë. Nuk janë më me rëndësi sondazhet. Ato janë irelevante, sondazhi i vetëm që vlen sot është kutia e votimit, qytetari i Kosovës.” – deklaronte kohë më parë Krasniqi.

Edhe eksponentë të tjerë të PDK-së, si bie fjala nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj, ka kërkuar zgjedhje të reja. Ndërsa shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, e ka pranuar tashmë se opozita nuk i ka votat për ta rrëzuar Qeverinë Kurti.

“Ne jemi në një situatë kur duhet të flasim dhe të jemi të sinqertë për qytetarët e Kosovës dhe me veten tonë. E vërteta është që nuk kemi numra për ta rrëzuar Qeverinë. Poashtu është e vërtetë që Qeveria nuk i ka numrat me qeverisë. Pra jemi në një situatë bllokade ku qeveria për të kaluar ligje, i duhet një mobilizim i jashtëzakonshëm disajavor që t’i detyrojë deputetët dhe mezi i mbërrin 61 deputetë që të mund t’i kalojë disa ligje dhe pastaj për muaj të tërë nuk kalon asgjë. Pothuajse krejt viti 2023 karakterizohet me këtë situatë ku ka një vështirësi të theksuar të kalimit të ligjeve apo mbajtjes së seancave në Kuvendin e Republikës.” – ka delaruar Gashi në ATV.

Lajme të ngjashme