Miratimi i dy projektligjeve problematike, Hamiti: Pushteti e do edhe kontrollin e gjyqësorit dhe të medias
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka reaguar pasi Kuvendi me votat e deputetëve të VV-së ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Projektligjit Këshillin e Pavarur të Mediave, të cilat janë kundërshtuar edhe nga BE-ja.
Ai ka bërë me dije se me këto projektligje pushteti po tregon se e dëshiron edhe kontrollin e gjyqësorit dhe medias.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se Qeveria Kurti po miraton ligje në kundërshtim me standardet evropiane.
“Përveç ekzekutivit dhe legjislativit, pushteti absolutist #KREJTdheDREJT e do edhe kontrollin e gjyqësorit dhe të medias. Prandaj, Qeveria e Vetëvendosjes bën ligje që e shkelin Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i kundërshton vlerat demokratike”, ka shkruar Hamiti.