Largoi nga puna sinjalizuesit e korrupsionit, reagimi banal i ministrisë së Rozeta Hajdarit
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka marrë vendim për largimin nga puna të dy zyrtarëve Ermal Kutllovci dhe Arian Krasniqit, ku nga ministria kanë dhënë disa arsyetime në vendim të cilat janë mjaft banale, krejt kjo pasi që të njëjtit ishin përfshirë në zbulimin e skandalit lidhur me "rezervat shtetërore".
Largimi i Kutllovcit dhe i Krasniqit është bërë me datë 29 janar 2024, ndërsa sot nga MINT kanë reaguar në Facebook rreth largimit të këtyre dy zyrtarëve, duke e dhënë si arsyetim “për shkak të informimit të drejtë, korrekt dhe të paanshëm", raporton Gazeta Nacionale.
Për largimin e Krasniqit nga MINT pretenduan se i njëjti ka shpërndarë "informacione të pavërteta" ndaj Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, duke shtuar se informacione këto janë shpërndarë në portale dhe se Krasniqi ka dhënë gjykimin e tij personal dhe të pavërteta.
“Inicimi i procedurës disiplinore për nëpunësin civil, z. Arian Krasniqi, ka ardhur pas disa shkeljeve të përsëritura duke shpërndarë për publikun lajme të pavërteta ndaj MINT, të publikuara nga portalet, për më tepër duke dhënë gjykimin e tij personal dhe të pavërtetë, dhe duke inskenuar situata të takimeve me menaxhmentin e lartë të MINT.” – thuhet në reagim.
Ndër të tjera nga kjo ministri kanë bërë të ditur se veprimet e zyrtarit Arian Krasniqi kanë dëmtuar rëndë reputacionin e shërbimit civil dhe imazhin e institucionit të MINT.
“Veprimet e nëpunësit civil Arian Krasniqi kanë dëmtuar rëndë reputacionin e shërbimit civil dhe imazhin e institucionit të MINT, për shkak se i njëjti është i punësuar në këtë Ministri dhe shpërndarja çdo ditë e postimeve për publikun në rrjetet sociale, duke përdorur gjuhë të ashpër, nënçmuese e denigruese me lajme të pavërteta dhe me ofendime të rënda ndaj institucioneve shtetërore e që janë në kundërshtim të plotë me dispozitat e nenit 25 të Ligjit nr.08/L-197 Për Zyrtarët Publik për shkak se ky nen përcakton të drejtat politike, me ç’rast lejon që zyrtarët publik të marrin pjesë në aktivitete politike, të jenë anëtarë të partive politike, të kandidojnë për zgjedhjet qendrore dhe lokale , por ky nen dhe këto dispozita ligjore në asnjë rast nuk i japin të drejtë dhe nuk lejojnë që nëpunësit civil të fyejnë, ofendojnë dhe shpifin.” – kanë thënë ndër të tjera në reagim.
Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi vendimin për shkarkimin e tij e ka vlerësuar si jo demokratik.
“Largimin nga puna e përjetova rëndë, sepse, kam menduar se kjo dukuri nuk do të na përsëritej, ashtu sikur babës tim dhe anëtarëve tjerë të familjes nga regjimi që kurrë më nuk do të kthehet. Ngjan edhe kjo padrejtësi, por, besimi në ligjet e vendit tim, më jep shpresë se këtë veprim të Ministrisë, me instanca ligjore do ta anulojmë dhe hartuesit e tij do të turpërohen”, ka shkruar Krasniqi.
Ndërsa sa i përket zyrtarit tjetër të larguar nga puna, MINT ka thënë se për Ermal Kutllovci inicimi i procedurës ka ardhur "pas përsëritjes së shkeljeve të rënda disiplinore" dhe duke shtuar se i njëjti "ka shpërndarë informacione" që nuk i lejohet sipas legjislacionit në fuqi.
“Ndërkaq, Inicimi i procedurës për z. Ermal Kutllovci, ka ardhur pas përsëritjes së shkeljeve të rënda disiplinore ndër të tjera duke tejkaluar hierarkinë, kompetencën dhe duke nxjerr informacione që nuk i lejohet sipas legjislacionit në fuqi si dhe me përmbajtje ofenduese për menaxhmentin e MINT, përfshirë paragjykime dhe vlerësime të proceseve, dokumenteve dhe situatave pa bazë dhe argument.” – thuhet në njoftim.
Për Kutllovci nga MINT kanë thënë se kanë refuzuar të nënshkruaj deklaratën konfidencialitetit, që sipas tyre është obligim ligjor sipas ligjeve në fuqi.
“Përveç shkeljeve të lartcekura z. Ermal Kutllovci, ka refuzuar të nënshkruaj deklaratën e konfidencialitetit, obligim ky ligjor sipas ligjeve në fuqi, dhe e cila parasheh vetëm ruajtjen e sekretit shtetëror, në ketë rast të informacioneve lidhur me rezervën shtetërore ashtu siç i parasheh ligji përkatës, dhe i njëjti ka rrezikuar komprometimin e të dhënave sekrete duke i shpërndarë dhe komentuar informatat që i ka marrë gjatë qëndrimit në zyrën e Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave, veprim ky në kundërshtim me dispozitat e Ligjit nr.03/L-244 Për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Rregulloren nr.03/2019 Për Prokurimin për qëllime të Mbrojtjes dhe Sigurisë si dhe Vendimin e Qeverisë nr.01/65 të datës 26.02.2022.” - thuhet ndër të tjera në njoftim.
Përmes një shkrimi në profilin e tij në “Facebook, Kutllovci i ka mohuar premtimet e komisionit.
Ai ka thënë se ai është larguar nga puna për shkak se iu ka thënë “Jo” disa proceseve të kundërligjshme.
“Për informimin e drejtë e të sinqertë për gjithsecilin, unë jam zyrtari i cili i ka thënë JO një procesi të kundërligjshëm e me shumë të panjohura, siç ishte procesi i furnizimit me produkte për Rezervën Shtetërore në Vitin 2022. Po unë jam ai i cili në vazhdimësi e kam kundërshtuar këtë proces me shkrim e jo verbalisht, duke e paralajmëruar në vazhdimësi Ministren Rozeta Hajdari, se veprimet dhe heshtja juaj karshi këtij procesi bien ndesh me ligjin bazë për Rezervat Shtetërore të Mallrave. Pra edhe përkundër kundërshtimeve të drejta (ligjore) e parimore, paralajmërimeve të njëpasnjëshme, kurrë në asnjë moment s’kam pranuar ndonjë shkresë zyrtare me të cilën së paku do tentohej të demantohet shqetësimi i shprehur qysh në fillim të këtij procesi.”, ka shkruar ai.
Më tej, ai ka treguar se ministrja Hajdari i ka thënë “mbylle gojën” gjatë një takimi që ajo ka pasur në dhjetor 2023 në Departamentin e Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM).