Ministrja e Drejtësisë përsëri në gjykatë, deklarohet e pafajshme
Në seancën e rigjykimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016.
Fillimisht, të pandehurit deklaruan se nuk kanë nevojë të lexohet aktakuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, deputetja Donika Kadaj-Bujupi ka thënë se nuk ka çfarë të shtojë ngase që 7 vite është deklaruar e pafajshme, ndërsa të akuzuarit Haxhiu, Lekaj dhe Baftiu u deklaruan të pafajshëm.
Më pas, kryetarja e trupit gjykues Fatime Dermaku tha se shqyrtimi gjyqësor vazhdon me fjalën hyrëse, ku prokurori Ilaz Beqiri deklaroi se mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë më parë.
Mbrojtësi i të pandehurit Lekaj, avokati Arianit Koci tha se mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë më parë.
“Se çka dhe nga i cili i pandehur konkretisht është sekuestruar, cili është sendi dhe cili është ai gaz lotsjellës a po jo, nëse jo të përcaktohet ka është si dhe rekomandimet të cilat i ka paraparë Gjykata e Apelit. Barra është e prokurorisë dhe nëse prokuroria nuk arrin t’i vërtetojë pretendimet e veta, atëherë gjykata të veprojë”, tha Koci.
Më pas, Kadaj-Bujupi tha se mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë në shyqrtimin e mëparshëm.
Kurse, edhe Baftiu e Haxhiu thanë se qëndrojnë pranë fjalëve hyrëse të dhëna më parë.
Seanca po vazhdon.