Ministria e Aliut e pezullon Nexhat Krasniqit, pasi ShBA-ja e sanksionoi për “korrupsion të madh” - NACIONALE

Ministria e Aliut e pezullon Nexhat Krasniqit, pasi ShBA-ja e sanksionoi për “korrupsion të madh”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më saktësisht Departamenti i Shtetit, njoftoi se e ka sanksionuar Nexhat Krasniqin, i njohur ndryshe si “Baba i tendërëve”, për shkak të korrupsionit të madh. Tashmë Ministria e Infrastrukturës, që udhëhiqet nga ana e ministrit Liburn Aliu, e ka pezulluar Krasniqin nga udhëheqja e Divizionit të Prokurorimit në këtë ministri, raporton Betimi për Drejtësi.

Në raportimin e këtij mediumi, Hysen Durmishi, zëvendësministër i Ministrisë së Infrastrukturës, e ka konfirmuar pezullimin nga pozita të Krasniqit.

“Të premten, kryetari e ka marrë një vendim, ai është pezullu na pozita që e ka pas” – tha Durmishi.

Por çfarë shkruhet në vendimin e MI-së?

Në vedimin, për të cilin ka raportuar Betimi për Drejtësi, shkruan se pezullimi i Krasniqit ka ardhur si rrjedhojë e sanksionimit të tij nga ShBA-ja.

“Vendimi për pezullim i z.Nexhat Krasniqit, ka ardhë si rrjedhojë e sanksioneve të vendosura ndaj tij nga Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe duke pasur parasysh marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi. Pezullimi do të jetë në fuqi deri në marrjen e vendimit përfundimtar sipas legjislacionit në fuqi.” – thuhet në vendim.

Lajme të ngjashme