“Militant; Po m’dhimesh”: “Prishja” e Kurtit e Osmanit ua nxeh gjakrat dy analistëve, ndërhyn moderatori
Një përplasje e lehtë, disi e shkurtër, shumë e shkurtër, ka ndodhur në mes dy analistëve, gjeografikisht diku në paralagje të Prishtinës në televizionin Kanal 10. Në “përleshjen verbale” u përfshin Adrian Çollaku, analist dhe gazetar, dhe Bardhyl Hasanpapaj, e cila ndodhi në prezencë të syve të disa analistëve e moderatorit të emisionit “Politiko” dhe në “sytë digjitalë” të disa kamerave.
Tema e përplasjes ishte “prishja” e marrdhënieve në mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, një nga temat më të përfolura politike kohëve të fundit. Çollaku ishte i qartë në kritikën ndaj Osmanit dhe opozitës, duke theksuar se palët presin që “Amerika mu çu një ditë” dhe “me rrëzu Albin Kurtin”.
Sipas Çollakut, Osmani duhet ta harrojë se do ta merr pushtetin gati.
“Opozita beson që ka me çu një ditë Amerika dhe ka me rrëzu Albin Kurtin dhe këta pushtetit gati. Harrojeni. Edhe Vjosa Osmani le ta harron që e merr pushtetin gati” – tha Çollaku.
Hasanpapaj, që shpesh është parë si i afërt me presidenten Osmani, ishte i rrufeshëm në përgjigjen e tij. Në ndërhyrjen e tij, Hasanpapaj e quajti Çollakun “militant të fortë” të Kurtit.
“Qenka bo Çollaku me Albin Kurtin, militant i fortë” – i thotë Hasanpapaj, Çollakut.
Duket se kjo gjë e inatosi paksa Çollakun. Në kundërpërgjigje, Çollaku u kujdes që ta “mbronte nderin e tij”, duke thënë se nuk ka ndryshuar dhe se është i njëjti për nga qëndrimet politike. Madje, Çollaku i tha se, në fakt, Hasanpapaj ishte mësuar të ishte militant.
Në një formë cinike, Çollaku i tha Hasanpapajt se i dhimbset, pasi ka mbetur në një krah me Osmanin dhe pa Kurtin.
“Jo, ti ke qenë, je mësu me kanë militant, o Bardhyl, edhe sot militantizmi yt, je mbetë me një krah. Albini Kurti s’është më, je mbetë veç me Vjosen. Po m’dhimesh, jam ai i njëjti, s’kam ndryshu, zero, pikë. O s’kam ndryshu, ti ke ndryshu” – ia ktheu Çollaku, Hasanpepës.
Hasanpapaj ia ktheu sërish Çollakut.
“Unë veç një gjë, nuk e kam paskam ditë që Çollaku qenka bo me VV-në” – shtoi sërish Hasanpapaj.
Pas 48 sekondave përplasje, ndërhyri moderatori Kushtrim Sadiku, duke i qetësuar situatën në mes Çollakut dhe Hasanpapajt dhe ia dha fjalën Halil Matoshit, analist, i cili e vazhdoi rrjedhën e bisedës në lidhje me “parimësinë” e prishjes në mes Osmanit dhe Kurtit.