Mexhiti replikë Osmanit: Përfaqësues të shqiptarëve jemi ne, ju koalicion multentik
Izet Mexhiti i Lëvizjes Demokratike në kuadër të koalicionit VLEN në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë së Veriut, i ka reaguar Bujar Osmanit nga koalicioni “Fronti Evropian”, duke e quajtur “përfaëquses të koalicionit multietnik” jo përfaqësues të shqiptarëve në RMV, përfaqësim ky që ai ia atribuon VLEN-it.
Për më tepër, Mexhiti e jep si të mirëqenë parashikimin e tij se qeveria e ardhshme që do të dalë pas zgjedhjeve parlamentare 8 majit, do të jetë me mandat të plot 4 vjeçar me mbi 70 deputetë, pjesë e së cilës nuk do të jetë Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahemtit.
Reagim i Mexhitit:
Replikë për Bujarin dhe dy shumicat:
Do t'i kisha thënë z. Bujar Osmani të mos shqetësohet sepse qeveria e re pa BDI-në do të jetë pikërisht qeveri e dy shumicave.
Shumicën shqiptare në këto zgjedhje e përfaqëson koalicioni VLEN, jo koalicioni multietnik 'Fronti europian'. Prandaj, mos e manipuloni opinionin, dhe më me rëndësi, mos kërcënoni, sepse kërcënimi nuk është gjuhë e politikanëve europianë.
E nëse z. Osmani mendon se duhet t'ia shtjelloj në detaje Marrëveshjen e Majit, jam i gatshëm që edhe këtë ta bëj në çdo kohë. Për dallim prej tij, i cili në atë kohë bënte karrierë si kirurg, unë kam bllokuar udhëkryqet, kam protestuar, dhe jam përplasur me politikanin e tij të preferuar të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski.
Por, nëse Bujari mendon se është njësoj të negociosh të drejtat e shqiptarëve dhe lirinë e Gruevskit, kjo flet për derexhen ku është katandisur BDI dhe për këtë ilaçi i vetëm është vota e shqiptarëve për opozitën me 8 maj.
Qeveria e ardhshme reformuese me mandat të plotë 4 vjeçar do të jetë stabile me mbi 70 deputetë, me shumicë të badinterit, pa BDI dhe pa Levica e Desnica.