Mexhiti njofton për marrëveshjet që do të nënshkruajnë Kosova e Maqedonia në mbledhjen e përbashkët
Të hënën në Prishtinë do të mbahet mbledhja e përbashkët në mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar për marrëveshjet që pritet të arrihen në mbledhjen e përbashkët.
Ai ka shkruar se ky është vetëm fillimi.
“Qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës me mbledhje historike në Prishtinë!
Nga kjo mbledhje do të dalin këto vendime tejet të rëndësishme për të gjithë ne:
🔵Protokolli për Pikat e Përbashkëta kufitare në Bllacë-Hani i Elezit dhe Jazhincë-Glloboçicë, apo sistemin one-stop shop, gjë që do ta mundësojë qarkullimin e pandërprerë të qytetarëve vetëm përmes një pike kufitare, pa tollovi dhe që do të çojë drejt zhvillimit ekonomik.
🔵Marrëveshja në fushën e energjetikës për shfrytëzim racional të resurseve natyrore dhe forcimin e sigurisë energjetike dhe si përgjigje ndaj krizës energjetike në rajon.
🔵Marrëveshja në fushën e arsimit që ka për qëllim bashkëpunimin në fushën e arsimit profesional, arsimit për të rritur, këmbimin e përvojave dhe gjithë këto procese do të realizohen përmes kontakteve të drejtpërdrejta të institucioneve të arsimit dhe jo vetëm.
Ky është vetëm fillimi, hapat e këtillë historik do t’i vazhdojmë me plot bindje!” – ka shkruar Mexhiti.