Mesi ditë e më i palavdishëm i Osmanit për Marrëveshjen e Ohrit: Ku (e me kë) po qëndron ajo?
Brenda dy muajsh dy strategji që assesi s’përkojnë me njëra tjetrën.
Qëndrimet e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, karshi (mos)zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, kanë shkuar veçse duke u bërë lëmsh-e-më-lëmsh; ndonëse kompetencë në dorë për (mos)zbatim nuk ka.
Në mes të qëndruarit në orbitën amerikane si “garantuesja primare” e marrëdhënieve Kosovë-ShBA dhe “nuk dallojmë me Albin Kurtin”, Vjosa Osmani rreth Marrëveshjes Bazike/Ohrit del të jetë katror i rrumbullakët.
Zërit të Amerikës, në dy intervista brenda dy muajsh ia artikuloi dy qëndrime. Njëra: zbatim unilateral (të njëanshëm) të marrëveshjes si në Procesin e Vienës në zbatimin e Planit të Ahtisaarit. Tjetra: Assesi zbatim të njëanshëm të marrëveshjes me Serbinë.
Dy muaj më parë...
Marrëveshjen Bazike kërkonte të zbatohej karshi garancave që merr nga aleatët – si në Ahtisaarin – me Serbinë jashtë këtij ekuacioni; sepse edhe atëherë, argumentonte ajo, Serbia nuk e donte Planin e Ahtisaarit që çoi në pavarësimin e Kosovës.
“Asokohe marrëveshja jonë ka qenë me partnerët – jo me Serbinë, se ata s’e donin Ahtisaarin. Neve na duhet dakordim, që nëse Kosova do t’i zbatojë të gjitha këto detyrime atëherë na duhen garancat e sigurisë, mbështetje ndërkombëtare për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, jo si transaksion por si projekt që përfundimisht e mbyll këtë temë dhe sjell paqe dhe siguri”, pati thënë, Vjosa Osmani.
Fast-forward dy muaj më vonë...
Në të njëjtën media, në Zërin e Amerikës, tash Osmani binjakëzon qëndrimin e Kurtit, me të cilin “nuk dallojmë”; marrëveshja ashtu siç është, “nuk ka kuptim të zbatohesh unilateralisht”.
“Marrëveshja e ndarë në copëza nuk ka asnjë kuptim dhe nuk ka asnjë kuptim që ajo të zbatohet në mënyrë unilaterale nga Kosova, ndërsa pala tjetër që është Serbia në këtë rast, të ikë plotësisht nga obligimet e saj”, ka thënë Osmani ditë më parë.
Qëndrimet as/as – edhe/edhe të Vjosa Osmanit
Vjosa Osmani, edhe në çështjen e radhës së Urës së Ibrit të ngritur rishtas nga qeveria kosovare si “çështje e mbyllur, vendim të marrë” e ka gjetur veten në pozicione të pamundshme: mes afirmimit të pozicionit amerikan dhe të NATO-s dhe asaj të moskundërvënies ndaj qeverisë në kursin e tyre mospërfillës ndaj hisedarëve ndërkombëtarë në sigurinë e vendit.
“A është në interes të Kosovës të shohim konflikt mes Policisë së Kosovës dhe ushtarit amerikan?”, e ngriti ajo pyetjen në tonet më alarmante pasi qe informuar me shkrim për rreziqet që ShBA kishte artikuluar se i kanosen ushtarëve të KFOR-t dhe amerikanë në hapjen-thjesht-ashtu të Urës së Ibrit, që, sipas Jeffrey Hovenier, “qeveria në planin e saj nuk e ka marrë parasysh”.
Këto shqetësime, megjithatë, Vjosa Osmani, nuk i ngriti në ndonjë konferencë të jashtëzakonshme për media apo pas ndonjë mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare që do t’i përshtateshin përmbajtjes alarmante të tyre...por gjatë një vizite në Komunën e Vitisë.
Dy intervista të kohëve të fundit për Radion Evropa e Lirë: një në shërbimin në gjuhën shqpie dhe një në gjuhën angleze. Edhe aty: as/as – edhe/edhe.
“Jemi tetë vite me vonesë në hapjen e Urës së Ibrit”, i qëndronte refrenit qeveritar, por ama hapja e saj “duhet të bëhet në koordinim të plotë me aleatët”.
Pretendimi tjetër ekstravagant
Në “Kallxo.com” pretendoi ta ketë hequr – personalisht ajo vetë, po...po – temën e hapjes së Urës së Ibrit nga dialogu Kosovë-Serbi në Brukseë.
“Me insistimin tim”, tha Osmani: ku u lëshua edhe në kritikat e saj – tashmë më të shpeshta, ndonëse me tone tejet të kujdesshme – ndaj Qeverisë së Kosovës.
“Tashmë nuk ka insisistim që kjo çështje të shkojë në dialog, për shkak të insistimit tim të vazhdueshëm, edhe me BE-në edhe me NATO-n edhe me shtetet veç e veç”, tha Osmani.
S’i ka dy-tri ditë më vonë kur Ura e Ibrit u gjet të ketë qenë temë në Bruksel nga NATO kumtuar kryenegociatorit kosovar, Besnik Bislimit dhe atij serb, Petar Petkoviqit.
E ku hapja-ose-jo e saj nga NATO u kërkua të bëhet përmes dilaogut në Bruksel.