Mesazhet e delegacionit amerikan, a po i kuptojnë mirë Kurti e Osmani? Flasin analistët
Delegacioni amerikan, i kryesuar nga Karen Donfried, Ndihmës-sekretare e Shtetit, dhe Gabriel Escobar, emisar special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, dje vizituan Kosovën, ndërsa sot kanë qëndruar në Serbi.
Megjithatë, nga vizita e tyre kanë mbetur mesazhet e qarta për elitën udhëheqëse të Kosovës. Pas takimeve me kryeministrin Albin Kurti, dhe presidenten Vjosa Osmani, Donfried tha se rifillimi i dialogut me Serbinë është urgjente, duke kërkuar arritjen e një marrëveshje ndërmjet palëve.
Duke treguar qëndrimin e fortë amerikan pro dialogut me Serbinë, ajo tha se status quo sjellë të mira vetëm për Rusinë.
Por si duhet lexuar këto deklarata të delegacionit amerikan?
Lidhur me këtë, Gazeta Nacionale ka kontaktuar me analistët Visar Ymeri e Halil Matoshi, të cilët kanë ndarë këndvështrimin e tyre në lidhje me mesazhet që dhanë amerikanët.
Të dy, veçuan mesazhin e qartë që ShBA ua dha presidentes e kryeministrit në lidhje me angazhimin në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE.
Ymeri, fillimisht tha se vizita jo vetëm në Prishtinë, por edhe ajo në Beograd, flasin zëshëm për një rikthim të vendosur të ShBA-së kah siguria e rajonit.
"Vizitat në Prishtinë dhe në Beograd nga zyrtarët e ShBA-ve flasin zëshëm për rikthimin e vendosur të vëmendjes së ShBA-ve kah siguria, mirëqenia dhe demokratizimi i rajonit. Kjo është edhe lajm i mirë dhe shumë e rëndësishme për ne si Kosovë. Prania e tyre në Prishtinë edhe dëshmon partneritetin e ShBA-ve me Kosovën, por njëherit edhe na e kujton rëndësinë që ka mirëmbajtja dhe kultivimin i një marrëdhënie të tillë partneriteti. Natyrisht, siç është thënë edhe dje nga përfaqësuesit e Departmentit të Shtetit, siguria dhe zhvillimi i Kosovës nuk bën të merren si të mirëqena, por si diçka dinmaike që kërkjnë përkushtim e punë të vazhdueshme. Kështu edhe marrëdhënia me ShBA-të", shtoi fillimisht ai.
Analisti Ymeri tha se nga ajo çfarë u tha në publik, riangazhimi në dialog ishte kërkesë decidive për krerët e shtetit. Madje kjo këmbëngulësi e amerikanëve, sipas tij, do të dinamizojë dialogun.
"Gjykuar nga deklaratat publike porosia është shumë e qartë: sigurinë për Kosovën e garanton prania e Nato-s në vendin tonë dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në anën tjetër nga Kosova kërkohet të ndihmojë në këtë drejtim përmes bashkërendimit të sjelljes sonë politike e vendimeve tona me ShBA. Veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhënien tonë me Serbinë, dialogun dhe mundësinë për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, integrimet rajonale dhe veçanërisht pjesëmarrja e Kosovës në programin për rritjen e diversiteti dhe pavarësisë energjetike të vendit tonë por edhe të rajonit. Më një fjalë kërkesa është e qartë: Ne duhet që të angazhohemi sinqerisht dhe seriozisht në procesin e dialogut me Serbinë dhe ta arrijmë marrëveshjen me të për njohje e cila do t’i hap rrugë paqes në rajon, integrimeve rajonale, por veçanërisht afirmimit të subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë", vazhdoi Ymeri për Gazeta Nacionale.
Në anën tjetër, Matoshi, ishte thuajse i së njëjtës linjë me kolegun e tij, duke shtuar se Kosova, me kërkesë të amerikanëve, duhet ta ketë prioritet të parë dialogun me Serbinë.
"Kërkesa e amerikanëve është shumë e qartë: Kosova duhet ta këtë prioritet nr.1 dialogun me Serbinë", tha fillimisht Matoshi për Nacionalen.
Tutje ai përmendi edhe një tjetër fakt të rëndësishëm, atë të respektimit të vendimeve që i ka marrë Kuvendi i Kosovës, duke mos përjashtuar këtu as Kushtetuesen.
"ShBA kërkoi nga krerët shtetërorë që të marrin vendime të mira për Kosovën dhe t'i zbatojnë ato që janë marrë në Kuvend, e edhe në Kushtetuese", përfundoi ai.
Ndryshe Kurti së bashku me Osmanin kanë udhëtuar për në ShBA, ku do të marrin pjesë në varrimin e ish-sekretares amerikane të shtetit, Medeline Albright.
Kujtojmë që delegacioni amerikan ka qëndruar sot në Serbi, ku është takuar me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.