Mes hapësirave të reja për argëtim dhe kakofonisë në trafik – Si po rezultojnë testet e Ramës?
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka treguar se testimi i dytë i unazës rrethore njëkahëshe, sot ka shkuar më mirë se testi i mëparshëm dhe se po rifitojnë hapësirat e humbura për banorët.

Më tej ai tha se po punohet për të rikuperuar hapësirën e humbur të biçikletave.
“Testimi po shkon shumë më mirë se herën e parë. Kjo qasja e trafiku është shumë më e lehtë dhe më e shpejtë. Po ashtu, duhet të kemi parasysh se tash e kemi edhe një rrugë e cila është e posaçme vetëm për biçikleta, kryeqyteti e ka fituar një hapësirë shumë më të madhe për qytetarët e Prishtinës….ne kemi bërë analiza me ekspertë ndërkombëtare dhe e kanë parë që çdo matje tregon që ka përmirësim të dukshëm dhe pika kryqe është që ne po e fitojmë hapësirën të cilën e kemi humbë në relacion me makinat, po krijojmë një mundësi tjetër alternativ më të lehtë për qytetarët e Prishtinës”, ka thënë sot Rama për KosovaPress.
Në anën tjetër, ky vendim i Komunës së Prishtinës për ta shndërruar unazën qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet po krijon kolona të gjata të veturave.
Gjatë javës së kaluar, radhë të gjata të veturave janë parë te semaforët pranë Bankës Qendrore e te rrethrrotullimi prapa ndërtesës së Komunës. Ndërsa këtë të shtunë, ndoshta edhe për shkak të numrit të vogël të qarkullimit, kolonat ishin diçka më të shkurtra.
Rrugët që janë kthyer njëdrejtimëshe janë rruga “Agim Ramadani” që nga semaforët pranë ish-mensës së Studentëve, rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia, rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE dhe rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore.
Kurse në qendër të Kryeqytetit është zgjatur sheshi “Nëna Terezë”, deri tek semaforat e katedrales.

Lidhur me këtë pjesë të rrugës e cila është shndërruar në hapësirë argëtimi për njerëzit, Rama ka thënë se këtu ka evente të ndryshme, dhe një numër i madh aspektesh pozitive.
“Këtu sot ka evente të ndryshme luhet futboll, basketboll. Kemi ngjarje të ndryshme për me festuar pranverën, kryeqytetin. Është një numër i madh i aspekteve pozitive që janë duke ndodhur në kryeqytet…. deri sot qytetarët nuk pas ku t’i dërgojnë fëmijët e tyre, ku të ecin lirshëm, tash kemi hapësira të ndryshme që janë të sigurta”, ka theksuar Rama.

Testimi i unazës rrethore njëkahëshe pritet të vihet seriozisht në testim në javën e tretë kur këto ndryshime do të vihen në zbatim edhe gjatë ditëve të javës kur trafiku është shumëfish më i ngarkuar.
Natyrshëm se më të pakënaqurit po ndahen ata të cilët shfrytëzojnë veturën e tyre, por, nga ana tjetër, qytetarë pasionantë të hapësirave të reja kanë dalë në mbështetje ndaj një ideje të tillë.
Rrugët nga katedralja deri tek sheshi “Nena Terezë”, ndryshe nga më parë, këto dy vikende kanë përjetuar argëtimin e shumë qytetarëve të Prishtinës, të cilët kanë shfrytëzuar hapësirën për një sërë aktivitetesh.

Fotografitë tregojnë se rruga që zakonisht është e mbingarkuar nga veturat, është shndërruar në një zonë lojërash dhe argëtimi, ndërsa ato të rrugëve njëkahëshe, fytyra të frustruara të njerëzve që presin në kolona të gjata me veturat e tyre.