Menaxhim i ‘status-quo’-s: Opozita i çjerr pushtetit buxhetin e numrave të mëdhenj, me vlerë të vogël - NACIONALE

Menaxhim i ‘status-quo’-s: Opozita i çjerr pushtetit buxhetin e numrave të mëdhenj, me vlerë të vogël

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Menaxhim i “status-quo”-s, erozion i bazës prodhuese të vendit, rrëshqitje drejt një modeli klientelist të pushtetit të mbështetur në kontrata njëburimore dhe transfere të përkohshme sociale, e një rritje “artificiale” e buxhetit, e fryrë nga inflacioni kumulativ gjatë qeverisjes Kurti 3.

Këto, së bashku me një sërë akuzash të tjera për përkeqësim të klimës së investimeve dhe përqendrim të diskrecionit buxhetor në duart e ekzekutivit, opozita i artikuloi sot në seancën plenare për Projektbuxhetin 2026, dokument prej rreth 4 miliardë eurosh, që u miratua në lexim të parë me 66 vota pro, 32 kundër dhe 5 abstenime, duke hapur kështu fazën e shqyrtimit të detajuar në komisionet parlamentare.

Ndërkohë që shumica qeverisëse përpiqej të mbronte narrativën e një buxheti “rekord” dhe të një shteti social në zgjerim, opozita e përshkroi të njëjtin dokument si arkitekturë financiare që rrit varësinë e qytetarëve nga shteti, gërryen nga brenda bazën prodhuese të Kosovës dhe e mban ekonominë pa shpresë në afatgjatë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, e nisi kritikën me një diagnozë makroekonomike, duke e cilësuar si instrument që, sipas tij, "menaxhon 'status-quo'-n".

“Është buxhet që menaxhon ‘status-quo’-n. Kjo si rezultat i shpenzimeve të rritjes operative dhe posaçërisht te transferet dhe subvencionet. Kjo ndikon në rritjen e konsumit në periudhë afatshkurtër, por në periudhë afatgjate, si rritje e shpenzimeve rrjedhëse, e zvogëlon hapësirën për investime kapitale", tha Hamza.

Hamza paralajmëroi implikime të drejtpërdrejta për stabilitetin fiskal dhe aftësinë e shtetit për të investuar në ekonomi reale.

“Këto shpenzime të rritura për subvencione dhe transfere, e zvogëlojnë hapësirën fiskale për periudhat e ardhshme dhe sigurisht se do të ndikojnë në pamundësinë e zgjerimit të bazës prodhuese dhe eksportuese. Këtu vërehet që ka mungesë të investimeve për sektorët strategjikë në Republikën e Kosovës”, tha Hamza.

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga ana tjetër solli në vëmendje një të dhënë statistikore të frikshme: inflacioni kumulativ prej 30 për qind gjatë pesë viteve të fundit.

"Sa për rikujtim, sipas ASK-së e cila gjendet si pjesë e Zyrës së Kryeministrit, nga dita e parë e qeverisjes së Vetëvendosjes, e deri më sot, inflacioni në Kosovë në kumulativ është plot 30 për qind. Është rritja më e madhe kumulative në gjithë historinë e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Abdixhiku bëri një kalkulim të ftohtë që e zvogëlon buxhetin nominal prej 3.9 miliardë euro në një vlerë reale thuajse identike me atë të vitit 2021, duke e reduktuar "ritjen" e qeverisë në një shifër simbolike.

"Kuptojeni, paraja, para pesë viteve, ka qenë për 30 për qind më e vlefshme se sa që është sot. Thënë këtë, 3.9 miliardë euro sot, me inflacionin 30 për qind, janë rreth 2.9 miliardë të vitit 2021. Pra 1 miliard euro më pak në vlerë. Kaq kanë vlerë këto 3.9 miliardë euro. Asokohe buxheti i Kosovës ka qenë 2.6 miliardë euro që i bie që në esencë, për pesë vite, ju e keni rritur buxhetin e Republikës në terma realë për vetëm 300 milionë euro”, shtoi kreu i LDK-së.

Por kritika e tij më e rëndë ka qenë ajo mbi "gërryerjen" e bazës prodhuese — një proces që e sheh si kërcënim ekzistencial për sovranitetin ekonomik të vendit. "E vërtata e dytë e madhe është se politikat tuaja po e gërryjnë nga brenda bazën prodhuese të Kosovës. Këto politika nuk po japin rezultat ekonomik."

Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së, e përqendroi kritikën te praktikat e dyshimta të prokurimit, duke e etiketuar qeverinë si burim i "korrupsionit pandemik".

"Vetëm gjatë fushatës elektorale, në muajin dhjetor, qeveria ka arritur t’i shpenzojë 240 milionë euro shpenzime kapitale. Merrni me mend fushatën, temperaturat e ulëta, në dhjetor këta 230 milionë. Çka janë këta? Janë kontrata njëburimore, paradhënie komplet për financim të fushatës elektorale. Janë korrupsion”, u shpreh Bajrami.

Duke u referuar neneve specifike të projektligjit, ajo ka akuzuar Ministrinë e Financave për krijimin e një "diskrecioni mbretëror" që e marginalizon Kuvendin.

"Projektligji ka shumë probleme edhe tekstualisht, në Nenin 11 në Par. 3, dhe 5, MF i jep diskrecion vetes thuajse është mbret, dhe jo që jemi Republikë Parlamentare."

"Pastaj Nenin 12, Par. 3, thuhet se Qeveria mundet me aprovuar pagesa të paradhënies prej 30% deri në 100% për vlera të kontratës dhe mallra dhe shërbime. Ju e dini që KE e ka ngritur si çështje kontratat njëburimore. Këta plot 2500 kontrata njëburimore. Tash merreni me mend edhe tekstualisht i dhënë të drejtë e diskrecion vetes edhe me dhënë paradhënie 100%. D.m.th. ministrat japin kontrata pa shpallje të tenderit dhe në anën tjetër marrin vendim që këta operatorë me i paguar deri në 100%”, shtoi deputetja e LDK-së.

Arben Mustafa, deputet i PDK-së, nga ana tjetër dha portret goxha të zymtë të realitetit socioekonomik, me inflacionin që arriti në "5.3% në dhjetor 2025", duke e vendosur Kosovën "më lart" se vendet e rajonit.

“5.3% në dhjetor 2025 norma e inflacionit. Jo vetëm që nuk e kemi inflacionin më të ulët në rajon. Por, jemi më lart. Ju i përmendni eksportin por s’e përmendni importin. 6.1 miliardë euro deficitin tregtar. Paratë tona po financojnë ekonomitë tjera, e ju na flisni këtu për zhvillim. Sa i përket Investimeve të Huaja Direkte, 74% e tyre blerje e patundshmërive nga diaspora”, tha Mustafa.

Mustafa u ndal edhe te ajo që ai e quan "varësi e qëllimshme", strategji politike që, sipas tij, e shndërron qytetarin nga subjekt zhvillimi në objekt ndihme.

“Në prodhim shkojnë vetëm 1.7% i investimeve të huaja direkte. Kjo është ekonomia juaj. Nuk ka progres në ekonomi në një vend ku të rinjtë ju shkojnë jashtë vendit. E keni lënë një popull të presë çdo muaj a mos do të ndahen 100 euro, a mos do të ketë shtesë tjetër, kjo s’ka të bëjë me zhvillim. Kjo është politikë që e bën qytetarin të varur nga qeveria”, tha deputeti i PDK-së Arben Mustafa”, tha ai.

Lajme të ngjashme