Mediumi boshnjak: Përbërja e re e Kuvendit të Serbisë, më radikale se ajo e kohës së Millosheviqit - NACIONALE

Mediumi boshnjak: Përbërja e re e Kuvendit të Serbisë, më radikale se ajo e kohës së Millosheviqit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Përbërja e re e Kuvendit është edhe më radikale se ajo e kohës kur Sllobodan Millosheviq filloi konsolidimin e pushtetit, vlerëson mediumi politicki.ba në analizën për zgjedhjet në Serbi.

Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi tregoi një lëvizje edhe më të madhe në të djathtë, thotë politicki.ba.

Zavetnici dhe Dveri hynë në Kuvend, Ivica Daçiq mbajti të njëjtin numër deputetësh në raport me zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2020.

Partia Progresive Serbe (SNS) shënoi humbjen më të madhe në krahasim me të njëjtën periudhë - nga 188 ra në 121 deputetë.

“Mirëpo kjo është pasojë e pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje dhe jo një rënie e drejtpërdrejtë e popullaritetit. Në mes votave të fituara të Vuçiqit dhe kundërshtarit të tij më të madh politik, është një dallim prej 40%. Kjo përbërje e Kuvendit të Serbisë mund të krahasohet me atë të pak më shumë se 30 viteve më parë, kur Sllobodan Millosheviç erdhi në pushtet. Mirëpo, ky është edhe më radikal i djathtë se ai i asaj kohe”, shkruan mediumi boshnjak.

Ata shtojnë se në parlamentin serb nuk do të jenë krimineli i luftës, Vojisllav Sheshel dhe partia e tij, mirëpo është "një grumbull i tërë neandertalësh politikë që kërcënojnë vazhdimisht radikalizmin e Sheshelit - nga Dveri, "Nada", e deri tek "Zavetnik".

Blloku Serbia e Bashkuar është në Kuvend. Ata janë grupi i dytë politik më i fortë me 36 deputetë.

“Se sa është “modern” ky bllok politik më së miri shihet te kandidati i tyre për President të Serbisë, Zdravko Ponosh, i cili foli me fjalë të zgjedhura për kriminelin e luftës, Ratko Mlladiq, i cili po vuan dënimin me burgim të përjetshëm. Ky bllok, e po ashtu dhe SNS, Daçiq, dhe NADA, janë njëzëri kundër çdo anëtarësimi në aleancën e NATO-s, madje edhe një angazhim deklarativ për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian është gjithnjë e më i diskutueshëm”, thekson mediumi.

Si përfundim, mediumi boshnjak vlerëson se kur gjithçka të qartësohet, të paktën 90 për qind e deputetëve të përbërjes së re të Kuvendit të Serbisë, me zemër e gjuhë do të mbështesin Vladimir Putinin dhe veprimet e tij, përfshirë agresionin ndaj Ukrainës.

Lajme të ngjashme