Mediat serbe: Nis takimi trepalësh mes Lajçak, Bislimit e Petkoviq
Mediat serbe, më konkretisht “Tanjug”, raporton se ka nisur takimi trepalësh mes emisarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.
Sipas këtij mediumi, ky takim ka nisur pak para orës 13:00. Deri më tani, emisari ka takuar dy delegacionet ndamas, dhe nuk dihen detaje të tjera.
Ndërkohë, një prej temave më të rëndësishme të diskutimit, është çështja e dinarit për të cilën BE-ja pret të zgjidhet sot.
Për dinarin, është hera e dytë që ka takime në Bruksel, pasi atje kishin shkuar edhe përfaqësuesit e Bankës Qendrore.
Ndërkohë, gjatë vizitës së fundit që pati në Kosovë, emisari i Amerikës, Gabriel Escobar, deklaroi se shpreson që ‘të martën të arrihet një dakordim në Bruksel”.
Në lidhje me takimin, të martën u deklarua edhe kryeministri Kurti, i cili tha:
“Unë pres që do të ketë në aspektin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse takimet, edhe të nivelit të kryenegociatorëve, edhe të nivelit të lartë që zhvillohen në Bruksel, zhvillohen pikërisht për këtë gjë”.