“Me urdhrin e Kurtit”: Kërkohet hetim për bisedën mes Kusari-Lilës dhe Radoiçit
Që nga dje tema kryesore politike është biseda në mes Mimoza Kusari-Lilës, shefe e grupit parlamentar të VV-së, dhe Milan Radoiçiqin, i akuzuar nga Kosova për sulmin në Banjskë, e cila bisedë dyshohet të jetë bërë në qershor të vitit 2022, kohë kur Radoiçiq ishte i arratisur nga Kosova dhe i sanksionuar nga ShBA-ja.
Nga partitë opozitare, më e zëshmja ishte LDK-ja, pasi disa zyrtarë të lartë të saj shkruajtën për këtë temë, duke kërkuar hetim e ndërlidhur edhe Albin Kurtin, kryeministër i Kosovës, me bisedën. Në një deklarim për RTV Dukagjinin, Anton Quni, deputet i LDK-së, ka kërkuar hetim dhe zbulim të detajeve dhe motivi i kësaj bisede.
“Do të duhet të ngritët alarmi i të gjitha institucioneve të sigurisë që të zbulojnë deri në detajet më të vogla se cili ishte motivimi për këto biseda, cili ishte epilogu dhe tani cilat janë pasojat” – ka deklaruar Çuni.
Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, pretendoi se komunikimet mes Kusari-Lilës dhe Radoiçiqit janë bërë me urdhër të kryeministrit Albin Kurti.
“E vyeshmja e Albin Kurtit është koordinuar me kryekriminelin dhe terroristin, Millan Radoiciqin për çdo veprim e votim në Kuvend.
Për këto koordinime ka pas urdhër nga Albin Kurti. Le të tregoj çfarë kërkesa ia ka plotësuar Millanit në kompensim të votave?” – ka shkruar ajo, ndër të tjera.
Ndërsa deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se Kusari-Lila nuk ka më kredibilitet të qëndrojë në pozitën e deputetes.
“Kusari-Lila nuk e ka kredibilitetin as imunitetin për të qëndruar deputete në Kuvendin e Kosovës, sepse asnjëri prej nesh nuk merr mandat në dëm të Gjykatës së Kushtetueses, në dëm të veteranëve e kundër interesave të Kosovës. Kjo s’ka asnjë kuptim”, ka theksua Haxhiu në Debat Plus.
Çështjen e lejes nga Kurti e theksoi edhe analisti Visar Ymeri. Gjatë një analize në Debat Plus, Ymeri vlerësoi se Kurti duhet të kërkojë shkarkimin nga pozita e shefes së grupit parlamentar të VV-së. Tutje, Ymeri tha se për të është e qartë që ky komunikim është bërë me kërkesë të Kurtit.
“Mimoza ka shku ka fol me Radoiçiqin, e Mimoza vetë nuk ka shku me fol me Radoiçiqin. Mimoza ka shku me kërkesë të Albinit. Kjo për mua është shumë e qartë” – tha Ymeri, transmeton Nacionale.
Në komentin e saj, Kimete Berisha, opinioniste e njohur, bëri një akuzë të ashpër, duke shkruar se Kurti është koordinuar me Listën Serbe kundër UÇK-së.
“Edhe nëse biseda mes Mimozës dhe Radojçiqit do të ishte 'e montuar' siç po gënjen pushteti, e vërteta që Vetëvendosja ka votuar bashkë me Listën Serbe kundër veteranëve të UÇK-së është fakt.
“6. E, a ua ka bërë mirë!
Po more.
- Vet fakti që veteranët heshtin, domethënë pajtohen me nënçmimin.
- Ai që nuk e duron nënçmimin, nuk e duron!
- Nëse Bacës R. dhe patriotëve të tjerë nuk u duket 'e keqe' kjo vepër antishqiptare e qeverisë Kurti, pasi që nuk e kanë lëçitur Albin Kurtin, edhe pasi që është bërë bashkë me Listën Serbe kundër UÇK-së së gjallë e të vdekur” – ka shkruar ajo.
Sjellim ndër mend që publikimin e përgjimit nga ana e Paparacit, Kurti dhe Kusari-Lila e kanë quajtur “luftë hibride”.