Më në fund Rrustem Mustafa e kritikon Qeverinë Kurti: Vendimi për librat po përcillet me vështirësi - NACIONALE

Më në fund Rrustem Mustafa e kritikon Qeverinë Kurti: Vendimi për librat po përcillet me vështirësi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit, ka një kohë që publikisht, përmes statuseve, por edhe deklaratave publike, e ka përkrahur Qeverinë e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti. Madje, për këtë “flirtim politik” mes Mustafës e Qeverisë Kurti, ka shkruar edhe gazeta Nacionale në disa raste.

Por në një status, të publikuar 20 orë më parë, Mustafa ka bërë një kthesë të vogël (pra jo kthesë U). Në statusin, ku komentohet çështja e librave shkollorë, ish-deputeti i PDK-së, pra z. Mustafa, e ka cilësuar qasjen e Qeverisë Kurti si “vendim që po përcillet me vështirësi”.

Në statusin e tij, Mustafa shkruan se në fillim ka menduar që “është më mirë që prindërit të dalin nëpër vitrinat e librave” dhe të “përgadisin veten dhe fëmijet se po fillonë viti i ri shkollor” (sic!).

“Vendimi i Qeverisë për të mos i shpërndarë librat përmes organizimit të shkollave, librat duhet të sigurohen nëpër librari, pagesat për libra shkollore u tha se mbulohen nga Qeveria dhe une mendova se është më mirë që prindërit të dalin nëpër vitrinat e librarive dhe në mënyrë festive të përgadisin veten dhe fëmijët se po fillonë viti i ri shkollor.” – shkroi Mustafa fillimisht.

Por në këtë qasje të re të Qeverisë Kurti, z. Mustafa ka gjetur edhe një problem. Sipas Mustafës, procesi po përcillet me vështirësi.

“Vendimi tjetër se librat duhet siguruar nga gjenerata e kaluar nuk ishte i duhuri, secili fëmijë dëshiron ta ketë librin e papërdorur, jo vetem aq, ky vendim po përcillet me vështërsi.

Nuk do të duhej të vështirsohej ky proces nga vendimet e Qeverisë, jeta mësimore-edukative ka nevoj për më mirë!” – shkroi tutje ai.

Afërsia me Qeverinë Kurti

Ndryshe, Mustafa, që gjatë luftës njihej me nofkën komandant Remi, për shumë vite ishte anëtar i PDK-së dhe nën logon e kësaj partie ishte bërë deputet, por edhe këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi. Megjithatë në disa raste, Mustafa ka dhënë deklarata lavdëruese për kryeministrin Albin Kurti dhe madje e ka mbrojtur Mimoza Kusari-Lilën, shefe e grupit parlamentar të VV-së, për aferën “Zdravo”, të cilën e publikoi Nacionale.

“Zonja Kusari, por edhe kushdo që e zgjat dorën e integrimit me të gjitha komunitetet, duke përfshirë edhe komunitetin serb, duhet përshëndetur e jo persekutuar” – deklaroi Rrustem në intervistën për "Albanian Post".

Përderisa e mbrojti Kusarin, Remi ishte i ashpër me Ramush Haradinajn, kryetar i AAK-së. Në të njëjtën intervistë, Mustafa kishte fjalë të ashpra për opozitarin Haradinaj, i cili e akuzonte Mustafën se, bashkë me Thaçin, ishin turistë në luftën e fundit. Remi vlerësoi se Haradinaj deklaron gjëra që as vetë nuk i beson.

“Nuk dua të spekuloj se pse ai (Ramush Haradinaj) ngutet dhe bën deklarata te cilat nuk i beson as ai vetë. Unë konsideroj që të diskutojmë në këtë temë është një absurditet, pjesëmarrja ime në luftën për çlirimin e Kosovës krahas UÇK-së është pa diskutim pjesa më e rëndësishme e jetës time dhe nuk mund ta zhbëjë askush” - theksoi Mustafa.

Kujtojmë që me më 3 korrik, Mustafa doli me një manifest personal, ku e kumtonte përkrahjen e tij për Qeverinë Kurti, që në titullin e shkrimit “Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës i duhet mbështetja jonë dhe duhet mbështetur!”

“Përpjekja e Qeverisë për të vënë rend dhe drejtësi në gjithë vendin do ta ketë përkrahjen nga unë në çdo kohë, strategjia për shtrirjen e sovranitetit nga qeveria do të ketë sukses në ruajtjen e rendit dhe ligjit, analistet dhe mediat që po gozhdojnë pandershëm misionin për rend dhe ligj do të perfundojne pandershëm” – shkruante Mustafa, thirrja e të cilit u përkrah nga një mijë persona dhe nga Sadri Ramabaja, pararojë e mendimit të VV-së.

Lajme të ngjashme