‘Me insistimin tim’: Osmani pretendon ta ketë hequr Urën e Ibrit nga dialogu me Serbinë
Ndaj çfarëdo reference për KFOR-in, QUINT-in dhe BE-në rreth hapjes ose jo të Urës së Ibrit, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, aty në urë ishte përgigjur prerazi: “Çështje e mbyllur, vendim i marrë”. Ministria e Pushtetit Lokal që udhëhiqet nga shoqëruesi i Sveçlës në veri, Elbert Krasniqi, për media pati thënë se hapja e urës përfundon “këtë verë”.
Hapja e Urës së Ibrit për automjete qe dhënë për fakt të kryer dhe pavarësisht çfarëdo rezistence ndërkombëtare; ndërsa KFOR-i veçse përforconte edhe fjalët edhe praninë e saj në urë duke e blinduar thuajse tërësisht me autoblinda dhe personel.
Krejt ky tregim se hapja e Urës së Ibrit do të jetë kurorëzimi i shtrirjes së sovranitetit në veri u rrëzua si kështjellë prej rëre me vizitën e Shefit të CIA-s, William Burns, në Prishtinë; me çka edhe u pushua vrulli omniprezent i deputetëve në pushtet si Mefail Bajqinovci.
Por, megjithëkëtë tregim jo të këndëshëm, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pretendon të ketë korrur një arritje: heqjen e Urës së Ibrit si temë të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.
“Me insistimin tim”, tha Osmani në një intervistë në “kallxo.com” kohëve të fundit: ku u lëshua edhe në kritikat e saj – tashmë më të shpeshta, ndonëse me tone tejet të kujdesshme – ndaj Qeverisë së Kosovës.
“Tashmë nuk ka insisistim që kjo çështje të shkojë në dialog, për shkak të insistimit tim të vazhdueshëm, edhe me BE-në edhe me NATO-n edhe me shtetet veç e veç”, tha Osmani.
Kohëve të fundit edhe ndërmjetësi sllovak në dialog, Miroslav Lajçak, e uli një oktavë më poshtë çështjen e Urës së Ibrit, duke thënë se Kosova duhet të koordinohet me aleatët e saj, duke e hequr Serbinë nga ekuacioni. Për këtë gjë në “X” i kërkoi llogari edhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviq. “Çka ndërroi në pozicionin tuaj Miroslav Lajçak rreth urës prej gushtit?”, e pyeti Petkoviq.
Përtej kësaj Vjosa Osmani veçse konfirmoi atë që përgjithësisht dihej se KFOR-i s’do të spostohdej nga “prania fikse” e vendosur mbi urë po qe se qeveria kosovare do të provonte me doemos të hapte Urën e Ibrizt pavarësisht kundërshtisë së tyre.
“NATO ka bërë të qartë se nuk mund të largohen nga ura pa pasur një proces koordinimi, dhe sado që kjo është e padrejtë ne duhet të synojmë zgjidhjen më të mirë në interes tonin; dhe ajo është që sa shtyhemi ne me deklarata nëpër studio, të ulemi me partnerët të diskutojmë”, tha ajo.
Provoi të relativizonte dhe arsyetonte qeverinë kosovare se këtë temë e kishte shndërruar thuajse në plasaritje e konfrontim të radhës me aleatët dhe hisedarët e sigurisë në veri.
“Nga deklaratat e disa njerëzve tjerë (e kush tjetër përpos VV-së) është kriju përshtypje që hapja e urës do të ndodhë sot apo nesër”, tha Vjosa Osmani.
“Unë nuk e kuptoj se pse gjithë ky mllef nga të qënit bashkë rreth një tavoline. Pse a s’po kërkojmë ne pikërisht me u bashku me këto tavolina euroatlantike”.
Proponentët më të mëdhenj të hapjes së kësaj ure – prej Albin Kurtit, Donika Gërvallës dhe ministrit nga radhët e pakicave, Elbert Krasniqi – i kanë ndërruar fjalët rreth hapjes së Urës së Ibrit.
Të gjithë këta tash thonë se “veç në koordinim me KFOR-in”.
“Ne jemi gati, me konsultime dhe koordinim, po i presim QUINT-in dhe KFOR-in, ne i kemi kryer punët tona”, tha Kurti ditëve të fundit.
“Urën do ta hapim vetëm në koordinim me KFOR-in”, tha Elbert Krasniqi po ashtu ditëve të fundit, siç e citoi televizioni “Arbëria”.
“Nuk po e hapim tani. Ne jemi duke u bërë gati për të hapur në një moment kur është e përshtatshme për qytetin, qytetarët dhe për vendin tonë”, tha Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla po ashtu ditëve të fundit.