Me AK-47 dhe granata dore, sulmohet Policia e Kosovës në veri
LAJM NË PËRDITËSIM (10:50) - Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është përgjigjur direkt në pyetjen nëse shteti serb po synon ta sulmojë Kosovën.
Në konferencën për media, Sveçla ka thënë se në këtë moment, Serbia po synon ta destabilizojë Kosovën, e jo ta sulmojë Kosovën.
“Serbia është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka zbatuar sanksione ndaj Rusisë për shkak të invazionit rus në Ukrainë dhe posaçërisht tash, pas daljes së krimeve në Ukrainë. Ne si institucione të Kosovës në vazhdimësi kemi bërë ngritjen e kapaciteteve tona. Së pari, jemi duke forcuar marrëdhëniet me shtetet mike, demokratike. Pastaj edhe në aspektin e kapaciteteve operacionale të Policisë. Nuk i frikësohemi asnjë skenari të Serbisë, jemi të gatshëm të përballemi me çfarëdo skenari të Serbisë, duke pasur parasysh edhe përkrahjen nga vendet mike. Unë mendoj se qëllimi i Serbisë nuk është në këtë moment ta sulmojë Kosovën, por ta destabilizojë Kosovën. Situata në Kosovë në përgjithësi është stabile falë institucioneve të sigurisë së Kosovës.”
Kurse Drejtori i Policisë së Kosovës, ka treguar pse policët nuk janë përgjigjur me armë zjarri.
“Policët kanë ra në pritë dhe mundësia me reagu me armë nuk ka qenë. Nuk kanë reaguar me armë, por kjo nuk do të thotë që Policia nuk do t'i shtojë të gjitha masat, dhe nuk do t'i përdorë të gjitha njësitë për të kryer punë,”, deklaroi Mehmeti.
LAJM NË PËRDITËSIM (10:15) - Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, i ka quajtur të orkestruara sulmet që ditëve të fundit nga persona ende të panjohur janë bërë ndaj zyrtarëve të policisë së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës.
Mehmeti ka sqaruar në detaje për katër sulmet që policia e Kosovës ka marrë së fundmi.
“Prej datës 13 e deri më sot kemi pasur sulme te organizuara e të sinkronizuara ndaj policisë së Kosovës. Vendet ku janë bërë sulmet janë shumë afër njëra-tjetrës. Kjo na bën me dije se kjo ka të bëjë më një grup të organzimuar që dëshiron ta pengojë policinë e Kosovës dhe t’i pengojë aksionet tona. Me datë 13.4.2022 rreth orës 07:30, në magjistralen Mitrovizë-Zubin Potok, policia e Kosovës ka hasur në rrugë një metal që shërbën për t’i penguar automjetet. Të njëjtën ditë, në 21: 45, njësia e policisë kufitare në fshatin Davidovc, pasi e kreu ndërrimin është sulmuar automjeti i patrollës me gurë. Sulmi i tretë në vendin që quhet Pragovës - janë dëgjuar 4 ose 5 rafale të shkurtra, diku rreth 30 fishekë. Gjuajtjet kanë ndodhur në distancë 200-300 metra. Sot në 7:40 janë sulmuar automjetet e blinduara. Në vendin e ngjarjes deri më sot janë gjetur gëzhojat", ka sqaruar Mehmeti për sulmet.

..................
LAJM NË PËRDITËSIM (10:10) - Katër sulme brenda pak ditësh kanë ndodhur ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës në veri.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla ka konfirmuar këtë lajm, duke shtuar se rasti i fundit ka ndodhur sot në orën 07:40 derisa po bëhej ndërrimi i pikave kufitare.
“Sot rreth orës 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granatë dore dhe AK-47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”, ka thënë Sveçla, shkruan gazeta Nacionale.
Sveçla ka dhënë detaje për këto katër sulme, që sipas tij kanë ndodhur brenda pak ditësh.
“Një sulm i parë ka ndodhur duke vendosur iriqa metalikë në rrugën nacionale, në kohën e njëjtë me sulmin e sotëm, me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisës së Kosovës, dhe të rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Sulmi i dytë ka ndodhur me gjuajtje me gurë në veturën e Policisë së Kosovës. Sulmi i tretë është publik, ka ndodhur mbrëmë, ku në afërsi të punktit policor i cili bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale është gjuajtur me armë zjarri. Dhe sot, siç thashë edhe më herët, drejtëprdrejt janë goditur dy veturat të cilat transportonin zyrtarët policorë për në pikat kufitare. Tashmë po shihet angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, por posaçërisht i policisë, që të vendosë rend dhe ligj”, ka thënë Sveçla.
“Është akt terrorist”, theksoi ministri.